Detajet e duelit të playoffit të Ligës së Parë

Tashmë, pasi që ka përfunduar stinori i rregullt në Ligën e Parë dhe janë kuptuar ekipet që në stinorin 2026/27 do të garojnë në Superligë, pikëpyetja e vetme mbetet se cila skuadër do të sigurojë barazhin për Superligë.

Siç dihet tashmë, Vushtrria u bë kampione e Ligës së Parë dhe siguroi biletën direkte për Superligë, bashkë me Feronikelin’74 që përfundoi i dyti në renditje.

E për këtë pozitë do të luftojë Liria dhe Dinamoja e Ferizajit. Liria përfundoi e treta në renditje të Ligës së Parë, ndërsa Dinamoja e katërta. Kujtojmë, këto dy skuadra u takuan edhe në përballjen e xhiros së fundit të Ligës së Parë, ku prizrenasit e drejtuar nga Ismet Munishi fituan thellë, 1-5.

E tani, përballja e tyre e playoffit të Ligës së Parë që siguron barazhin për Superligë pritet të kuptohet se ku do të zhvillohet. Sipas burimeve brenda klubeve përkatëse, shortin për stadiumin se ku do të luhet ndeshja (pasi që zhvillohet vetëm një lojë) si dhe datën dhe orën e duelit Liria – Dinamo do të përcaktohet nesër në zyret e FFK-së.

TABELA PËRFUNDIMTARE E LIGËS SË PARË

Aty do të përcaktohet se cila skuadër do të jetë në cilësinë e vendases me çka do të përfitojë edhe tribunat përkatëse për tifozët dhe shikuesit e ekipit, ndërkaq sa për informatë, këto duele zakonisht janë zhvilluar në terrenet që kanë bar natyral, si ajo e Klinës apo e Drenasit.

Sidoqoftë, mbetet të kuptohet saktësisht nesër gjatë ditës se ku dhe kur do të zhvillohet dueli i playoffit mes Lirisë dhe Dinamos. Përndryshe, luhet një ndeshje ku duhet përcaktuar fituesi që shkon në barazh. Nëse përballja nuk ka fitues pas 90 minutave luhen vazhdimet, e nëse as atëherë nuk përcaktohet fituesi atëherë atë do ta vendosin penalltitë.

Derisa Liria kërkon fitore për të luajtur në barazh ndaj ekipit që do të përfundojë në pozitë të tetë të Superligës, për rikthim aty, Dinamoja të njëjtën do ta kërkojë për të arritur për herë të parë në elitën e futbollit të Kosovës.

Fillimi
Rezultatet
Tabela
Live