
I dalluari i Malishevës, kalon te Prishtina
Njëri ndër futbollistët e dalluar të Malishevës në stinorin e kaluar, Assane Diatta, është zyrtarizuar dje si lojtari më i ri i ekipit kryeqytetas në Superligë, FC Prishtina.
Rekord-kampionja e Kosovës ka bërë të ditur se Diatta është përforcimi i radhës i ekipit bardhekaltër, ndërsa i është bashkangjitur ekipit në përgatitje në Bolu të Turqisë.
Senegalezi luan në pozitë të krahut të djathtë kryesisht, ndërsa është 26 vjeç dhe vlerësohet rreth 500 mijë euro nga Transfermarkt. Ai te Prishtina kaloi si lojtar i lirë. Ndërkaq në stinorin e kaluar në të gjitha ndeshjet me Malishevën si në Superligë ashtu edhe në Kupë të Kosovës kishte bilanc impresiv me 11 gola e 7 asistime në total 31 paraqitje.
“Edhe një emër i ri i bashkohet bardhekaltërve. Assane Diatta është përforcimi më i ri i Prishtinës, duke iu bashkuar ekipit në Bolu, aty ku skuadra po zhvillon fazën përgatitore për sezonin e ri.
Diatta vjen pas një sezoni mjaft të mirë, në të cilin regjistroi 11 gola dhe 7 asistime në 31 paraqitje në kampionat dhe Kupën e Kosovës te skuadra e Malishevës.
Me karakteristikat e tij sulmuese, shpejtësinë dhe aftësinë për të krijuar rrezik në repartin ofensiv, Diatta pritet të jetë një vlerë e shtuar për ekipin në edicionin e ri.” — shkroi FC Prishtina në njoftim.
