
Arvanit Rexhaj zyrtarizohet te Dukagjini
Futbollisti i deritashëm i Suharekës, Arvanit Rexhaj, është përforcimi më i ri i Dukagjinit të Klinës në Superligë. Rexhaj 21-vjeçar që djersiti fanellën e Suharekës në stinorin e kaluar në Ligë të Parë, po vazhdon të ngritet si lojtar dhe tashmë ka bërë hapin e radhës në karrierë, duke kaluar në një ekip aktualisht stabil të Superligës.
Rexhaj, që luan në disa pozita të mesfushës, ka qenë edhe pjesë e Kosovës U-21, ndërsa ka përvojë edhe nga Superliga në stinorin kur suharekasit debutuan aty.
“Klubi Futbollistik Dukagjini ka kënaqësinë të njoftojë arritjen e marrëveshjes me mesfushorin Arvanit Rexhaj, i cili nga sot është pjesë e familjes bardhëegjelbërt.
21-vjeçari është një mesfushor qendror, i cili mund të luajë edhe në rolin e mesfushorit defensiv. I njohur për disiplinën taktike, pasimet e sakta dhe energjinë në mesfushë, Arvaniti konsiderohet një nga futbollistët e rinj premtues të futbollit kosovar.
Rexhaj vjen te Dukagjini pas paraqitjeve me FC Suhareka, ndërsa më herët ka qenë pjesë e grupmoshave të klubit. Ai ka qenë gjithashtu pjesë e Përfaqësueses U21 të Kosovës, duke fituar përvojë edhe në arenën ndërkombëtare. Me këtë transferim, KF Dukagjini vazhdon të investojë në futbollistë të rinj e cilësorë, të cilët do të jenë një vlerë e shtuar për objektivat e klubit në sezonin e ri.” — shkroi KF Dukagjini në njoftim.
