
Tefik Çanga zyrtarizoi trajnerin e ri të ekipit
Pas një stinori të kaluar në Ligë të Parë dhe javëve të para të stinorit të dytë me radhë aty, Tefik Çanga ndau rrugët me trajnerin e saj të deritashëm Sherif Topalli.
Ndarja e mbrëmshme me Topallin
“KF TEFIK ÇANGA njofton opinionin publik, tifozët dhe mbështetësit e klubit se, me marrëveshje të dyanshme, kemi vendosur që bashkëpunimi ynë disa vjeçar te nderpritet me trajnerin e skuadrës, z. Sherif Topalli.
Trajneri Sherif Topalli do të mbetet përgjithmonë pjesë e rëndësishme e historisë së klubit tonë.
Nën drejtimin e tij, KF TEFIK ÇANGA ka shënuar një nga periudhat më të suksesshme në historinë e klubit, duke arritur rezultate të jashtëzakonshme dhe duke u shpallur Kampion i Ligës së Dytë të Kosovës.
Gjatë periudhës së tij në klub, trajneri Topalli ka dhënë një kontribut të çmuar në zhvillimin dhe ngritjen e ekipit, duke treguar profesionalizëm, përkushtim dhe korrektësi të vazhdueshme ndaj klubit dhe ngjyrave tona.” — shkroi klubi ferizajas në njofimtin e djeshëm.
Kurse pak më parë, skuadra nga Ferizaji që nuk ia nisi mirë stinorit 2026/27 dhe ka arkëtuar vetëm 1 pikë nga 3 ndeshjet e para të sezonit, ka bërë të ditur se ka angazhuar në radhët e saj Erdin Hashanin si trajner.
Emërimi i trajnerit të ri
“Erdin Hashani emërohet trajneri i ri i KF Tefik Çanga.
KF Tefik Çanga ka kënaqësinë të njoftojë se ka arritur marrëveshje me trajnerin Erdin Hashani, i cili nga sot merr drejtimin e skuadrës sonë.
Trajneri Hashani vjen në klubin tonë me një përvojë të konsiderueshme në futbollin kosovar. Gjatë karrierës së tij ai ka drejtuar skuadra si KF Vjosa, KF Vllaznia dhe KF Flamurtari, ndërsa së fundmi ka qenë pjesë e stafit teknik të FC Prishtinës në rolin e ndihmës-trajnerit.
Përvoja e tij shumëvjeçare si trajner, puna me skuadra të ndryshme dhe njohja e mirë e futbollit vendor e bëjnë atë një profil të përshtatshëm për objektivat e klubit tonë.
Veçanërisht, trajneri Hashani e njeh mirë Ligën e Parë, konkurrencën dhe specifikat e saj, duke pasur përvojë të drejtpërdrejtë në këtë nivel të garave.
Besojmë se me profesionalizmin, përvojën dhe ambicien e tij, Erdin Hashani do të sjellë energji të re dhe stabilitet në skuadër, duke ndihmuar KF Tefik Çanga në realizimin e objektivave të saj.
Mirë se vjen në familjen bardhekaltër, trajner!” — shkroi njoftimi i sotëm i KF Tefik Çangës.
Hashani pritet të debutojë këtë fundjavë me ekipin e tij të ri, ndërsa do të jetë mysafir i FC Mitrovicës së rikthyer në Ligë të Parë këtë stinor.
