
Kush është Bosko Radovic, trajneri i ri i Pejës?
Pas ndarjes me Michalis Kakiouzisin, Peja ka zyrtarizuar trajnerin e ri të saj, malazezin Bosko Radovic (lex. Boshko Radoviq). Por, kush është trajneri të cilin Peja e zyrtarizoi si trajner të madh?
I lindur në vitin 1979 Radovic është trajner tashmë i dëshmuar dhe ish-lojtar i dikurshëm. Ai përgjatë karrierës së tij si trajner ka punuar si ndihmës ose në staf të trajnerëve të njohur të shkollës ish-jugosllave, si Bogdan Tanjevic dhe Dusko Vujosevic.
Ai ka drejtuar Malin e Zi në gjashtë vitet e fundit dhe ka arritur disa suksese të theksuara. 47-vjeçari kualifikoi malazezët në fazë të eliminimit duke arritur në TOP-16 të Eurobasket 2022, ndërsa më pas siguroi edhe Lojërat Olimpike me kombëtaren e tij.

Së fundi, ai ka drejtuar ekipin kinez Guandong Southern Tigers, ndërsa tash e tutje do të jetë timonier i pejanëve.
“Bosko Radovic, selektori i deritanishëm i përfaqësueses së Malit të Zi (për 6 vite më radhë), është një nga emrat e njohur të basketbollit Evropian, me përvojë të çmuar në garat më të rëndësishme ndërkombëtare. Ai nga sot është Kryetrajneri më i ri i KB Peja.” — shkroi ndër të tjera KB Peja në njoftim, në web-faqen e tyre të re të përditësuar.
Peja, që nisi shumë mirë stinorin me dy fitore radhazi, prej të cilave njëra me rëndësi pasi që mposhti kampionen aktuale Trepçën jashtë, më pas përjetoi tri humbje dhe ato të papritura, ndaj skuadrave që nuk kishin asnjë fitore. Kjo, bëri që “shqiponjat” të ndërmarrin masa në ekip dhe larguan dy të huaj menjëherë nga ekipi si dhe trajnerin e deridjeshëm grek që e kishin në klub.
