
Liria lidere dhe me një ndeshje në xhep, gjithçka në dorë të saj!
Fundjava në Ligë të Parë bëri kthesa interesante në renditje tabelare, derisa Liria që deri në fundjavë ndiqte liderët, tani është bërë vet kryesuese e renditjes tabelare.
Prizrenasit nuk e kishin shumë problem ndeshjen ndaj Lepencit si mysafir, ndërsa aty dolën fitues me rezultat të thellë, 0-4 për të marrë 3 pikët e reja në kampionat.
Por, në anën tjetër ishte befasi barazimi i Prishtinës së Re ndaj Tefik Çangës si mysafir, rezultat ky që u mundësoi bardhezinjëve të drejtuar nga Ismet Munishi për tu ngritur në krye të tabelës.
TABELA AKTUALE E LIGES SE PARE
Për më tepër, Liria ka një ndeshje më pak të luajtur në kampionat, pasi që përballja e saj ndaj KF Mitrovicës që po lufton për mbijetesë nuk u luajt në xhiron përkatëse dhe është shtyer për një datë tjetër, ende të pacaktuar. Ndeshja Mitrovica – Liria i përkiste xhiros së tetë.
Në xhiron e XIII Liria pret Tefik Çangën, pastaj i shkon Suharekës, ndërsa pret Besa Pejën, para se t’i shkojë Prishtinës së Re në konak në kuadër të xhiros XVI.
Prizrenasit kanë synim që të rikthehen në Superligë dhe tani më shpresojnë të vazhdojnë këtë ritëm të mirë të kapur të ndeshjeve për të arritur synimin, i cili do të kuptohet në pranverën e ardhshme. Përndryshe, ekipi nuk ka pranuar gol në gjashtë xhirot e fundit, duke i fituar pesë dhe duke barazuar në një ndeshje.
