
Godet Peja! Sjell “vendorin” Dominic Artis
Basketbollisti amerikan me përvojë të rëndësishme në klube të forta evropiane të basketbollit, në moshën 33 vjeçare ka vendosur të jetë pjesë e Superligës së Kosovës, duke u bërë anëtari më i ri i KB Peja.
Përmes një njoftimi të lëshuar pak më parë, KB Peja ka zyrtarizuar ardhjen e Dominic Artis si përforcim të radhës, për më tepër duke e quajtur edhe lider të ri të ekipit!
“KB Peja ka kënaqësinë të prezantojë përforcimin më të ri por edhe më kryesorin, Dominic Artis!
Organizatori Amerikan me shtetësi Kosovare vjen në Pejë pas një karriere të pasur ndërkombëtare, me përvojë në ligat e Francës, Italisë, Greqisë, Sllovenisë, Turqisë dhe garat Evropiane.
Artis ka përfaqësuar skuadra si Cholet Basket, SIG Strasbourg, Cedevita Olimpija dhe Igokea, ndërsa ka qenë edhe pjesë e Përfaqësueses së Kosovës.
Me përvojën, cilësitë dhe vizionin e tij në lojë, ai vjen për t’i dhënë një dimension të ri skuadrës sonë dhe në KB Peja, që nga ndeshja e radhës ai ka të drejtë të luan menjeherë si lojtar vendor.
Dominic debuton kundër Sigal Prishtina, të shtunën në Karagaç!
Mirë se vjen në Pejë, LIDERI YNË I RI” — shkroi KB Peja në njoftim.
Artis ka qenë pjesë e Cedevitës, Pesaros, Cholet Basket, Bodrumspor dhe Strasbourgut – të gjitha këto në ligat elite, ndërsa në stinorin e fundit ishte pjesë e ekipit libanez Antonine dhe Enisey në liga të Baltikut. Me mesatare te Enisey prej 28.3 minutash për ndeshje ai bëri 11.5 pikë, 3.2 asistime dhe 3.2 kërcime për ndeshje.
