
Ballkani përmbys Gjilanin me Nikqin zëvendësues!
Ka qenë sulmuesi i ri i Ballkanit Dijar Nikqi që ka ndërruar peshoren në fushë të lojës, derisa vendasit që ranë vonë në disanvatazh ndaj Gjilanit në formë nën komandën e Zekirija Ramadanit, kanë arritur të kthejnë lojën dhe ta fitojnë atë!
Ballkani me trajner të përkohshëm në ekip Edon Gashin, ka arritur t’ia shkaktojë humbjen e parë Zekirija Ramadanit prej se ai mori drejtimin e gjilanasve, ndërsa suharekasit fituan duelin, Ballkani – Gjilani 3-1 [Albin Berisha 80′, Dijar Nikqi 84′, Abou Dosso 90’+4 — Armend Thaqi 74’pen.].
Pjesa e parë e qetë plotësisht, njëjtë sikurse edhe pjesa më e madhe e periudhës së dytë të lojës. Një gabim në mbrojtje të Ballkanit ndezi gjithçka! Gjilani fitoi penallti me rishikim në VAR për një ndërhyrje në zonë, mori epërsinë kur kishin mbetur diku rreth 15 minuta për të përfunduar ndeshja.

Dijar Nikqi u fut në lojë te Ballkani, asistoi në barazim, shpejt edhe shënoi për avantazh, ndërsa pasi Arbër Potoku mori kartonin e dytë të verdhë te Gjilani (86′) që mbeti me 10 lojtarë në 5 minutat e fundit të lojës, atëherë suharekasit dominuan minutat e mbetura për të shënuar edhe njëherë përmes krahut nga Bregu i Fildishtë Abou Dosso, për përfundimtaren 3-1!
Me këtë fitore, Ballkani hyp mbi Gjilanin në tabelë, edhe pse aktualisht kanë pikë të njëjta. Suharekasit janë të katërtit, ndërsa të kuqtë e Gjilanit, të pestit. Të dy ekipet kanë nga 22 pikë.
