
Anglezët lënë pa viza KB Bashkimin!
Skuadra e KB Bashkimit pak më parë ka bërë të ditur se nuk do të mund të udhëtojë për ndeshjen e xhiros së dytë të FIBA Europe Cup, ku është dashur të ndeshet me ekipin anglez, Manchester Basketball!
Dueli i paraparë të luhet më 13 tetor me fillim prej orës 20.00 pritet të shtyhet edhe zyrtarisht nga FIBA Europe Cup për një datë tjetër, pasi që mosudhëtimi i KB Bashkimit atje ka qenë krejt në mëshirë të ambasadës së vendit pritës.
“Të dashur tifozë dhe përkrahës të KB Bashkimi,
Ju njoftojmë se, pavarësisht se klubi ka përmbushur me kohë të gjitha procedurat dhe kërkesat e nevojshme për aplikimin për viza, deri më tani nuk kemi pranuar përgjigje lidhur me pajisjen me viza të anëtarëve të ekipit.
Si pasojë e kësaj situate, ekipi nuk mund të udhëtojë dhe të zhvillojë ndeshjen e paraparë sipas planifikimit.
Për këtë arsye, klubi i është drejtuar FIBA-s me kërkesë për shtyrjen e ndeshjes dhe caktimin e një date të re, në mënyrë që ekipi të ketë mundësinë të pajiset me vizat e nevojshme dhe të udhëtojë për ta zhvilluar ndeshjen.
Dëshirojmë të theksojmë se nga ana e klubit janë ndërmarrë me kohë të gjitha veprimet dhe janë përmbushur procedurat e kërkuara. Megjithatë, mungesa e përgjigjes për vizat deri në këtë moment e ka bërë të pamundur realizimin e udhëtimit.
E kuptojmë rëndësinë e kësaj ndeshjeje për klubin dhe për të gjithë ju që na mbështesni vazhdimisht. Ju falënderojmë për mirëkuptimin dhe përkrahjen tuaj të pakushtëzuar.
Për çdo zhvillim të ri lidhur me këtë çështje, do t’ju njoftojmë me kohë.” — bëri të ditur KB Bashkimi sot.
Përndryshe, Bashkimi nisi me fitore stinorin e ri në FIBA Europe Cup, ku në xhiron e parë si vendas mposhti letonezët e Valmierës në sekondë të fundit të ndeshjes!
