
Barazim në debutim, Drita kthehet me pikë nga Finlanda
Në Tampere të Finlandës, Drita sonte barazoi 1-1 ndaj skuadrës finlandeze KuPS.
Kjo ishte ndeshja debutuese e skuadrës gjilanase në fazën kryesore të UEFA Conference League, pa llogaritur ndeshjet kualifikuese, e si zakonisht në ndeshjet e Evropës Drita edhe sonte u tregua skuadër e matur, e diciplinuar dhe me meritë kthehet me një pikë nga Finlanda.
Skuadra nga qyteti i Kuopios, që mbrëmë ndeshjen si vendase e luajti në Tampere, kaloi e para në epërsi me golin e shënuar nga polaku Piotr Parzyszek në minutën e 74′, e më pas barazimi i Dritës erdhi nga Albert Dabiqaj gjashtë minuta më vonë.
Përkundër dominimit të vendasve në posedim të topit, ishte Drita ajo që pati më shumë goditje në portën kundërshtare, ndërkohë në momentet vendimtare, portieri Faton Maloku ishte në element dhe bashkë me Albert Dabiqajn ishin më të dalluarit te Drita sonte.
UEFA CONFERENCE LEAGUE – RENDITJA AKTUALE
Kështu, aventura e Dritës në fazën kryesore UEFA Conference League nis me një barazim, e ndeshjen e radhës kampionja në fuqi e Kosovës e luan ndaj qipriotëve të Omonias më 23 tetor në Prishtinë.