
Bashkimi përjeton humbjen e parë në FIBA Europe Cup
Ekipi prizrenas, Bashkimi, që nuk arriti të luajë ndeshjen e dytë të Grupit F të FIBA Europe Cup për shkak të çështjes së vizave dhe ajo u shty, sonte ka përjetuar disfatën e parë në grup, pasi nuk arriti të kalojë Kalevin në Talin, ku pësoi me rezultat të ngushtë 88-84.
Ndeshja ka qenë kryesisht e barabartë me dallim të vogël në rezultat derisa në 14 sekondat e fundit vendasit shkuan në 5 pikë epërsi, e treshja e Lejson Zeqirit e uli atë në 2 pikë, 86-84. Fauli i fundit për të fituar sekonda, nuk doli me sukses, derisa Jacob Falko shënoi pikët nga gjuajtja e lirë për të bërë rezultatin 88-84 në të mirë të Kalevit për fitore.
Përndryshe Zeqiri dha 23 pikë në këtë ndeshje për Bashkimin, kurse Divine Myles shënoi 20. Te Kalevi, Hugo Toom me 22 pikë dhe Damian Forrest me 15 pikë kanë qenë më efikasit.
Me këtë fitore, Kalev tash ka bilanc 2-1 pas 3 ndeshjeve të para në grup, ndërkaq Bashkimi bëhet me 1-1, me një ndeshje të shtyer ndaj Manchesterit.
