
Bora largon dy të huaj!
Dy basketbollistë të huaj të transferuar gjatë verës te Bora, janë larguar. Njoftimin e ka bërë klubi prishtinas, ndërsa ka treguar se ka ndarë rrugët me DQ Nicholas dhe me Kobe Langley.
Si duket, dyshja në fjalë nuk ka përmbushur pritshmëritë e trajnerit bullgar të ekipit Lubomir Minchev dhe klubi ka ndarë rrugët me lojtarët në fjalë.
“Klubi KB Bora njofton transferimin e lojtarit DQ Nicholas te KK Kožuv. Gjithashtu, klubi ka përfunduar me mirëkuptim të ndërsjellë bashkëpunimin me lojtarin Kobe Langley.
E falënderojmë për angazhimin dhe kontributin e dhënë gjatë qëndrimit në klub dhe i dëshirojmë suksese në vazhdimet e karrierës.” — njoftoi KB Bora.
Për Borën, stinori që nis gjatë tetorit është i dyti në histori të tyre në Superligë, pas debutimit të suksesshëm në stinorin e kaluar ku mbijetuan përmes playoutit.
Prishtinasit kanë zhvilluar disa miqësore përgatitore dhe po vazhdojnë të kosolidojnë ekipin për të qenë sa më konkurrues në Superligë edhe këtë edicion garues.