
Burim Qerkini rikthehet te Dinamo para playoffit
Trajneri që kishte ngritur skuadrën në Ligë të Parë vite më parë dhe paraqitet aty sa herë të jetë nevoja, këtë e ka bërë përsëri. Burim Qerkini ka marrë detyrën e trajnerit të Dinamos së Ferizajit, dy ditë para se të luhet playoffi i Ligës së Parë, ku Dinamoja ndeshet me Lirinë në “18 qershori” të Klinës.
Qerkini vjen në këtë detyrë, pasi që Egzon Shabani dha dorëheqje pas disfatës së thellë të pësuar në xhiron e fundit të stinorit me Dinamon, kur ferizajasit u mposhtën në shtëpi, po nga Liria, 1-5!
Tani, falë renditjes tabelare, Dinamo e Liria përsëri do të takohen, por kësaj radhe, ndeshje të vlefshme për playoff të Ligës së Parë, që mundëson duelin e barazhit me ekipin në pozitë të tetë të Superligës.
Ndeshja Dinamo – Liria luhet më 29 maj 2026 në Klinë, me fillim prej orës 16.00. Fituesi i ndeshjes luan përballje barazhi me ekipin e tetë në Superligë. Pastaj, fituesi i barazhit siguron Superligën 2026/27.
