Çfarë Kosove fenomenale në Sllovaki, jemi një ndeshje larg Botërorit!

ÇFARË KOSOVE FENOMENALE SONTE NË BRATISLLAVË!

Ndonëse ishte dy herë në disavantazh, Kosova sonte zhvilloi paraqitje historike ndaj Sllovakisë vendase, të cilën e mposhti 3-4, për ta arritur kështu finalen e Play Off-it drejt Botërorit dhe për të qenë vetëm 90 minuta larg realizimit të ëndrrës për të qenë pjesë e një Botërori!

11-SHET STARTUESE

Një faull i panevojshëm i shkaktuar pranë vijës anësore në minutën e 6′ i kushtoi me gol të pësuar Kosovës. Ishte Valjent ai që me kokë shënoi një gol të bukur për 1-0 të sllovakëve.

Por megjithatë djemtë e Kosovës nuk ranë pre e presionit dhe dalëngadalë u rikthyen në lojë. E në minutën e 21′, erdhi barazimi, kur Veldan Hoxha me të djathtën shënoi një supergol për 1-1.

Për fatin të keq të Kosovës, goli i dytë u pësua në momentin më të keq të mundshëm: në fundin e pjesës së parë. Krosimi mashtrues i Haraslinit sllovak nuk u prek nga askush dhe përfundoi në rrjetë (45′) dhe kështu pjesa e parë u mbyll 2-1 për Sllovakinë.

Pjesa e dytë filloi tejet mirë të Kosovës, me barazimin që erdhi pothuajse menjëherë. Ishte Fisnik Asllani ai që shënoi për 2-2 në minutën e 47′, për të na dhënë krahë për pjesën e mbetur të ndeshjes.

Pas golit të barazimit, Kosova pati një kërkesë për një penallti, pas një loje më dorë të futbollistit sllovak në zonën e tij, por as reagimi të VAR-it e as penallti nuk pati dhe loja vazhdoi. Pak minuta më pas, erdhi goli i tretë i Kosovës, kur Florent Muslija (60′) shënoi një gol fantastik nga gjuajtja e lirë për 2-3.

Dhe kjo nuk ishte e tëra.

Kosova e gjeti edhe golin e katërt (Kreshnik Hajirizi 72′) dhe kështu e vulosi fitoren e merituar në Bratisllavë, fitore që erdhi para një numri të madh të tifozëve kosovarë në stadium dhe fitore që na afron vetëm një hap me Kampionatin Botëror të kësaj vere.

Krejt në fund, sllovakët e ngushtuan rezultatin në 3-4, por për një barazim eventual ishte vonë dhe ndeshja u mbyll me fitoren e merituar të Kosovës.

Për ta arritur Botërorin, Kosovën e pret punë e vështirë, pasi që përballë do ta ketë Turqinë në Prishtinë të martën mbrëma (31 mars) në finalen e Play Off-it kualifikues drejt Botërorit. Fituesi i këtij dueli siguron Kampionatin Botëror.

Fillimi
Rezultatet
Tabela
Live