
Detaje për Sllovakinë, si arritën në playoff dhe çka presin ndaj Kosovës?
Sllovakia përfundoi e dyta në Grupin A kualifikues për në Kampionatin Botëror “USCAME26” në zonën e UEFA-së. Shteti që nuk e ka pranuar Kosovën si shtet akoma dhe është njëri ndër pesë shtetet e Bashkimit Evropian që nuk njeh Kosovën, ka përfunduar në pozitë të dytë të Grupit A, duke mbetur pas Gjermanisë lidere dhe të kualifikuar në Kampionat Botëror.
Sllovakia në grupin e saj kualifikues është treguar e pamëshirshme në shtëpinë e saj, duke i fituar të trija ndeshjet, përfshirë edhe Gjermaninë – që çoi në ndërrimin e përzgjedhësit të “pancerëve”. Sllovakia mblodhi 12 pikë për të përfunduar e dyta grupin, për të lënë pas Irlandën Veriore me 9 dhe Luksemburgun pa pikë.
SISTEMI I PLAYOFFIT
Si vend i dytë, Sllovakia, që një herë ka qenë pjesë e Kampionateve Botërore në histori të saj në short ka rënë në një grup playoffi me Kosovën, Turqinë dhe Rumaninë. Sistemi i playoffit luhet me nga një ndeshje gjysmëfinale dhe një finale, ku vetëm fituesi i finales siguron biletën nga këto katër shtete për Botërorin përtej Atlantikut.

Sllovakia do të jetë vendase në Bratisllavë ndaj Kosovës, ndërsa fituesi i kësaj ndeshjeje luan finalen ndaj fituesit të ndeshjes Turqia – Rumania. Fituesi i ndeshjes Sllovakia – Kosova, do të jetë nikoqir i finales.
RRUGËTIMI I SLLOVAKËVE
Sllovakia – Gjermania 2-0
Luksemburgu – Sllovakia 0-1
Irlanda Veriore – Sllovakia 2-0
Sllovakia – Luksemburgu 2-0
Sllovakia – Irlanda Veriore 1-0
Gjermania – Sllovakia 6-0.
TRAJNERI ITALIAN, FRANCESCO CALZONA
Trajneri i Sllovakisë është italiani pak i njohur në botën e futbollit, Francesco Calzona. I lindur në vitin 1968, Calzona ka pasur karrierë të shkurtë si futbollist, ndërsa punën e trajnerit e nisi në stinorni 1999/2000 te ekipi amator, Tegoleto. Pas dorëheqjes nga aty, ai u bë ndihmës i trajnerit Maurizio Sarri me të cilin punoi deri kur ky i fundit drejtoi Napolin në Serie A. Më pas, punoi si ndihmës i Eusebio di Francescos dhe së fundi i Luciano Spallettit, përsëri te Napoli.
EURO
Calzona mori timonin e Sllovakisë 30 gusht 2022 dhe ia siguroi atyre kualifikimin në EURO 2024 që u mbajt në Gjermani. Sllovakia siguroi edhe daljen nga Grupi E në EURO 2024 me 4 pikë, sikurse liderja Rumania dhe ndjekësja Belgjika duke lënë pas Ukrainën gjithashtu me 4 pikë, por me goldallim më të dobët. U elimnuan në të tetën e finales dhe atë vetëm pas vazhdimeve ndaj Anglsië, 2-1, ku këta të fundit siguruan vazhdimet krejt në fund të takimit dramatikisht.
BOTËRORI
Sllovakia nuk është e panjohur për Kampionate Botërore. Ata kishin siguruar Botërorin e parë të tyre si shtet i vetëm (pas ndarjes së Çekosllovakisë) në “Afrika e Jugut 2010” të udhëhequr nga legjenda e vendit të tyre, mesfushori Marek Hamsik. Edhe aty, ata arritën të dalin nga grupet për tu eliminuar më pas në të tetën e finales.
FTESAT
Përzgjedhësi i sllovakëve, Calzona, ka ftuar pas 2.5 viteve mbrojtësin Martin Valjent, që është bashkëlojtar i Vedat Muriqit te Mallorca. Në fillim të konferencës për shtyp, kur publikoi ftesat e 27 futbollistëve për dy ndeshjet e marsit, ka theksuar: “Ky është moment historik për futbollin tonë dhe nuk jam i interesuar për asgjë tjetër pos të flas për futboll tani. I falenderoj publikut që ka blerë të gjitha biletat për ndeshjet e radhës, që tregon se ata po i kthehen stadiumeve, që ka qenë edhe qëllimi primar yni. Besimi te reprezentacioni është kthyer.”

Kapiteni i Sllovakisë, Martin Skriniar është lënduar. Por italiani beson që ai mund të luajë. “Ai po lufton me një lëndim serioz, por ai do të jetë me ne dhe do të na ndihmojë në ndeshje. Shpresoj, në të dyjat.”
Gjithashtu, Calzona ka bërë të ditur se edhe mesfushori i tyre Stanislav Lobotka do të stërvitet me ekipin, pasi që lëndimi i ka kaluar, por ka theksuar se do të shikojë si t’ia bëj me të për ndeshje, pasi që ka munguar 20 ditë te ekipi i tij për ndeshje kampionale. “Mungesa 20 ditëshe dhe futja menjëherë në lojë, nuk i bën mirë asnjë lojtari”, ka shtuar italiani.
PËR KOSOVËN
Sa i përket kundërshtarit, Calzona ka folur me respekt dhe ka theksuar rëndësinë e mungesës së kapitenit të Kosovës Amir Rrahmani. “Mungesa e Rrahmanit që luan për Napolin është shumë e madhe për Kosovën. Sidoqoftë, ata kanë disa lojtarë cilësorë që luajnë në Serie A dhe Bundesligë, kurse vlera e lojtarëve në total e Kosovës është më e lartë se e jona në treg. Kosova është ekip i rrezikshëm dhe i papërshtatshëm.”
PËR NDESHJEN NDAJ KOSOVËS
Në fund, trajneri 57 vjeç ka folur edhe për duelin ndaj Kosovës që zhvillohet në Bratisllavë më 26 mars. “Për më shumë se një vjet kemi pasur probleme me komponimin e ekipit. E njëjta është edhe tani për shkak të lëndimeve. Edhe Haraslin ka probleme të vogla shëndetësore. Sidoqoftë, nuk kërkoj alibi. Lojtarët që janë ftuar, janë ftuar me meritë të tyre. Do të kërkoj 100% nga secili dhe besoj që ata do të bëjnë më të mirën e tyre, sikurse që kanë bërë edhe në të kaluarën. Perspektiva ime për ekipin nuk do të ndërrojë, pa marrë parasysh se si do të përfundojë ndeshja ndaj Kosovës.”
LISTA E LOJTARËVE DHE EKIPET KU LUAJNË
PORTIERË
Martin Dubravka (Burnley FC)
Marek Rodak (Al-Ettifaq FC)
Dominik Takac (ŠK Slovan Bratislava)
MBROJTËS
Peter Pekarík (Hertha BSC)
Norbert Gyömbér (Al-Kholood Club)
Denis Vavro (VfL Wolfsburg)
Ľubomír Šatka (Samsunspor)
Martin Valjent (RCD Mallorca)
Milan Škriniar (Fenerbahce SK)
Adam Obert (Cagliari Calcio)
Ivan Mesík (Heracles Almelo)
Dávid Hancko (Atletico de Madrid)
MESFUSHORË
Stanislav Lobotka (SSC Naples)
Patrik Hrošovský (FC Viktoria Plzeň)
Ondrej Duda (Al-Ettifaq FC)
László Bénes (Kayserispor)
Matúš Bero (VfL Bochum 1848)
Tomáš Rigo (Stoke City FC)
Mario Sauer (Toulouse FC)
Tomáš Suslov (Hellas Verona)
Adrián Kaprálik (Holstein Kiel)
SULMUES
Dávid Ďuriš (Rosenborg BK)
Lukáš Haraslín (AC Sparta Praha)
Leo Sauer (Feyenoord Rotterdam)
Ľubomír Tupta (AE Larisa)
David Strelec (Middlesbrough FC)
Samuel Mráz (Servette FC).

