
Disfata nga Vushtrria, shkarkohet trajneri!
Nuk ka zgjatur as 24 orë për tu marrë vendimi dhe SC Gjilani ka bërë të ditur se ka ndarë rrugët me trajnerin e deritashëm të ekipit, Debatik Curri.
Mbyllja e bashkëpunimit vjen menjëherë pas disfatës së papritur si duket për gjilanasit nga Vushtrria dje, ku ata u mposhtën 1-0!
“Sport Club Gjilani njofton opinionin publik, tifozët dhe mediat se ka mbyllur bashkëpunimin me kryetrajnerin Debatik Curri.
Pas përmbylljes së këtij bashkëpunimi, klubi shpreh vlerësimin për angazhimin dhe kontributin e trajnerit Curri gjatë periudhës në krye të skuadrës, duke i dëshiruar suksese të mëtejshme në karrierën e tij profesionale.
Sport Club Gjilani e konsideron të rëndësishme ruajtjen e raporteve korrekte dhe profesionale, duke e mbyllur këtë kapitull me respekt të ndërsjellë dhe mirënjohje për bashkëpunimin e deritanishëm.
Për zhvillimet e mëtejshme lidhur me organizimin e shtabit teknik, klubi do ta informojë opinionin publik me kohë përmes kanaleve zyrtare të komunikimit.” — shkroi njoftimi i SC Gjilani.
Vushtrria deri tani ka qenë ekipi i vetëm pa fitore në Superligë. Ekipi erdhi në Superligë këtë verë, ndërka deri tani ka pasur vetëm disfata, 7 nga 7. Nën drejtimin e trajnerit të ri Fitim Llapashtica, ata arritën fitoren e parë që në daljen e parë në fushë nën komandën e tij. Fitorja e tyre 1-0 ndaj Gjilanit dje, besohet të ketë qenë arsyeja kryesore e ndarjes së rrugëve të SC Gjilanit me Currin.
