
E 17-ta radhazi për kampionen aktuale!
Nuk ka të ndalur Trepça! Kampionja aktuale e Superligës ka shënuar edhe fitoren e shtatëmbëdhjetë radhazi në kampionat për të vazhduar dominimin para playoffit edhe pse para dy xhirosh siguroi pozitën e parë për fund të stinorit të rregullt dhe të gjitha përparësitë në kuadër të playoffit.
Sonte skuadra e Adis Beciragicit mposhti Yllin në “13 qershori” me nëntë pikë dallim, duke e fituar ndeshjen 80-91. Ndeshja ka qenë kryesisht e barabartë, ndërsa dallimi pak më i theksuar u bë në çerek të tretë të ndeshjes (20-26) për t’i dhënë këtë avantazhin e nevojshëm për çerek të fundit të lojës dhe fitore.
Akili Vining dha 22 pikë në fitoren e “minatorëve” , ndërsa me 18 të tjera kontribuoi Ja’cori Payne. Dardan Kapiti u dallua gjithashtu, me 13 të shënuara. Te Ylli nuk mjafuan 22 pikë e Tyreek Smithit e as 11 të tjera të shënuara nga Erjon Kastrati ndaj ish ekipit të tij.
Fitorja bën që Trepça fituese e stinorit të rregullt të bëhet tani me bilanc 22-3, ndërkaq Ylli aktualisht është në pozitë të pestë me bilanc 11-14. Deri në fund të stinorit kanë mbetur edhe tri xhiro, ndërsa matematikisht suharekasve të drejtuar nga Paco Olmos i duhet edhe një fitore për të siguruar playoffin.
