Eurobasket 2025 — A mund të sfidohen favoritët nga grupi C dhe D?

Shkruan: Blerim Myftiu

Befasia më e madhe e Eurobasketit të deritashëm është pa dyshim eliminimi i Spanjës. Kampioni aktual i kontinentit dhe fituesi i katër prej gjashtë kampionateve të fundit evropiane nuk pritej që ta mbronte titullin, por nuk pritej që të mos e kalonte grupin. Formati ku 4 kombëtare nga gjashtë në grup kalojnë në fazën e dytë megjithatë parashihte me 27 gusht që Spanja të ishte në mesin e tyre. Por, ja që ndërrimi i brezave në gadishullin iberik doli të jetë më problematike. Spanja ngeci që në hapin e parë, duke u mposhtur nga Gjeorgjia. Fitoi bindshëm Bosnjë e Hercegovinën dhe më pas edhe më bindshëm Qipron. Mirëpo kundërshtarët direktë për lidership, Greqia dhe Italia, dolën të jenë një klasë më të të fortë dhe cilësorë.

Vëllezërit Gasol dhe vija e jashtme dominuese Rodriguez-Llull-Fernandez, të ndihmuar me Reyesin, Garbajosan, Rubion, Ibakan e të tjerë e bënë Spanjën gjatë dekadës së dytë të këtij shekulli fuqi basketbollistike duke fituar 4 Eurobaskete (në dy të tjerat vendi i tretë), një Mundobasket dhe nga një të argjendtë e të bronztë në Olimpiada. Sfida e ndërrimit të brezave dhe të bartësve të lojës që ka nisur prej vendit të nëntë në Mundobasketin e 2023-s dhe mungesës në Olimpiadën e vjetme duket se është shndërruar në agoni me eliminimin e hershëm nga Eurobasketi i sivjetmë. Përveç vëllezërve Hernangomez që me pak a më shumë sukses e kanë shijuar NBA-në dhe Euroligën, lojtarët e tjerë janë emra anonimë në basketbollin evropian. Edhe nëse i arsyetojmë se janë kryesisht më të rinj se 25-vjeç, fakti që një pjesë luajnë në Valencia e Zaragoza, vetëm 3 në Barcelona (a e njihni Parran apo Brizuelan), nuk duket dritë se mund të kemi së shpejti apo me këtë brez një “furi të re të kuqe”.

Të njëjtin nivel mesatar që nuk arrin ta tejkalojë përtej e ka edhe Italia. Larg janë ditët e lavdishme të dy dekadave të fundit të shekullit të kaluar, larg është edhe titulli i fundit evropian i italianëve që i takon vitit 1999. Medalja e fundit është e bronzta nga Suedia 2003. Italianët morën shtytje nga fitorja e ndeshjes së parafundit ndaj Spanjës e cila edhe vendosi fatin e këtyre të fundit. Simone Fontecchio theu rekordin kombëtar me 39 pikë kundër Bosnjës, Saliou Niang bëri double-double kundër Spanjës dhe ndikimi i tij shtrihet në pikë dhe kërcime në të dy anët e parketit. Matteo Spagnolo dhe Mouhamet Doiuf janë individët e spikatur të azzurëve. Eksploziviteti i Pozzeccos nga skaji i fushës mund ta plasojë Italinë disa hapa më tej.

Superylli i grupit ishte dhe dëshmoi të jetë Giannis Antetokounmpo. Ai “pati nevojë” të luante në tri ndeshje të grupit, duke kapur mesataren prej 27.7 pikësh, renditet i dyti pas Luka Dončićit. U bë i dyti basketbollist grek (pas Nikos Galisit) që në 8 ndeshje rresht në kampionate shënoi 25+ pikë. Karshi Luka Dončićit, Giannisi jo që e ka mbështetjen e dy vëllezërve të tij, por kolektivisht ekipi grek përbëhet nga më shumë individë kontribuues dhe cilësorë. Veteranët Kostas – Sloukas dhe Papanikolaou – janë ndoshta për herë të fundit për t’i dhënë krah helenëve. Dorsey, Sloukas dhe Mitoglou kanë ndër përqindjet më të larta të saktësisë, kurse mbrojtja greke është shumë dinamike. Greqia luajti pothuajse në terren vendës, në Qipro dhe si do të jetë kalimi në terrenin vërtet neutral dhe gjithsesi më të ftohtë në Riga, mbetet të shihet.

Ajo që Giannisi e ka pas dhe në krah, nuk e ka Dončići. Prandaj përfshirja individuale, përdorimi i topave dhe me të edhe numri i pikëve është në proporcionin më të lartë. Sllovenia u bë kampionia e Evropës në 2017. Edhe atëherë Dončići sapo i kishte mbushur të 18-tat, bëhej gati për ta kapërcyer Atlantikun, mirëpo krahas tij ishin disa virtuozë shtesë – vëllezërit Dragić, Vidmar e Randolph ndër të tjerë. Në ekip vazhdojnë të jenë 4-5 të tjerë të asaj kohe, mirëpo distanca Dončić/të tjerët është kilometrike. Mjafton të konstatohet se asnjë lojtar tjetër slloven nuk e luan Euroligën, lëre NBA-në. Dončići kryeson ose është në mesin e tre më të mirëve në pikë totale, pikë për ndeshje, asistime, vjedhje topash dhe efiçiencë!

Karshi ekipeve dominuese siç janë Gjermania dhe Serbia, përballë janë tre individë me tre kombëtaret e tyre që i tërheqin pas, i mbajnë në shpinë. Performanca e këtyre të treve do të jetë përcaktuese sa larg do të shkojnë kombëtaret e tyre – Luka Dončići me Slloveninë, Alperen Şengüni me Turqinë dhe Giannis Antetokounmpo me Greqinë!

Fillimi
Rezultatet
Tabela
Live