Eurobasket 2025 — A po del kampioni nga grupi A dhe B?

Shkruan: Blerim Myftiu

Një kohë të gjatë kampionati evropian në basketboll nuk kishte arritur të mblidhte kaq shumë basketbollistë superiorë dhe të cilësisë së lartë. Nuk ka kombëtare yjet kryesore të të cilëve nuk i janë përgjigjur ftesës për t’i përfaqësuar kombëtaret në Eurobasketin 2025. Prandaj, shumë sportistë të dëshmuar të NBA-së dhe të Euroligës dhurojnë në 10-ditëshin e kaluar spektakël dhe shumë ndeshje cilësore. Dekada e kaluar kishte treguar rënie dhe thënë së buti “mërzi” të basketbollistëve kryesorë për ta sakrifikuar verën në kampet shtetërore dhe në kampionate botërore dhe evropiane, i gjithë ky veprim në shërbim të përgatitjes sa më të mirë për basketbollin ekipor që luhet në të dy anët e Atlantikut. Megjithatë, situata duket se ka filluar të ndryshojë pas periudhës pandemike dhe në edicionet e fundit të Mundobasketit, Lojërave Olimpike vjet dhe Eurobasketit sivjet, Antetokounmpo, Schröder, Jokić, Dončić, Şengün, Micić, Larkin, Markkanen, Wagner e shumë të tjerë na joshin këtë fillim-shtatori.

Zgjerimi i formatit në 24 kombëtare ka dhënë mundësi shumë kombëtareve për të marrë pjesë, që përndryshe vështirë do të hynin në mesin e 16 më të mirave. Të njëjtën lehtësi ka siguruar edhe karta e nikoqirit, me të cilën Qipros me siguri dhe Finlandës deri diku i është mundësuar pjesëmarrja. Në këtë drejtim disa ndeshje në fazën e grupeve po kalojnë në atmosferë stërvitjeje ku dallimi në cilësi po reflektohet edhe në diferenca rekorde, siç ishte fitorja e Gjermanisë ndaj Britanisë së Madhe me 120:57 dhe siç është humbja e ndeshjeve me mesatarisht 26 pikë diferencë (kosh-dallimi -130) për Qipron dhe Britaninë e Madhe. Apo edhe me mesataren prej 32 pikë dallimi në favor të Gjermanisë për çdo ndeshje (mos të harrojmë fitoren vetëm ndaj Britanisë së Madhe me 63 pikë epërsi).

Dhe pikërisht Gjermania, si rrallëherë në basketboll, po e jep përshtypjen e një makinerie që vështirë do të jetë për ta ndalur. Sistemi i vendosur nga Gordon Herbert e ka shndërruar Gjermaninë në fuqi basketbollistike si kurrë më parë. Bronzi i Eurobasketit 2022, titulli botëror në 2023 dhe vendi i katërt në Olimpiadën 2024, janë dëshmi që ka edhe rezultate. Pasardhësi i tij Alex Mumbrú e vazhdon punën aty ku ka mbetur – dyshja Schröder-Wagner ka krijuar një harmoni të mrekullueshme dhe kombëtarja multinacionale me laramani opsionesh ofansive në mënyrë supremaciste e mori vendin e parë në grupin B dhe krahas Turqisë është ekipi i vetëm pa humbje. Gjermanët shënojnë 105 pikë për ndeshje.

Pas tyre vijnë turqit me 91.8 për ndeshje. Pesë fitore nga pesë ndeshje për Turqinë vështirë ka qenë e imagjinueshme. Individë gjithmonë të mirë ka pasur Turqia, por përveç Eurobasketit 2001 dhe Mundobasketit 2010 – kur ka qenë nikoqire – Turqia kurrë nuk ka siguruar ndonjë rezultat për ta mbajtur në mend në kampionatet evropiane. Pritja nuk ka qenë e madhe as sivjet, por shenjat e para të dhëna në fazën përgatitore dhe ndeshjet e grupit (siç thashë stërvitore deri në mbrëmjen e 3 shtatorit) duket se Ergin Atamanit i kanë dhënë mundësi për të krijuar një qark që po funksionon.

Nuk ka shumë dyshim që ndeshja Turqi-Serbi ishte më cilësorja e kampionatit të deritanishëm. Alperen Şengün po paraqitet si kandidat serioz për lojtarin më të çmuar të kampionatit, me kusht që Turqia shkon tutje. Dueli Şengün-Jokić ishte një prej dueleve më intensive të kampionatit dhe duket se turku 23-vjeç e fitoi atë. Një qendër moderne, që luan nën kosh, në trapez, anash trapezit dhe është preciz për 3 pikë është thesar për çdo ekip dhe duket se violina kryesore dhe akterë anësor që japin maksimumin në drejtimin po tregohet të virtuozit Ataman krijon një Turqi që jashtë kufijve të Anadollit nuk është dukur kurrë kështu.

Kandidati kryesor për titull, së paku në letër, Serbia, dëshmoi dje disa dobësi thelbësore në mbrojtje. Tranzicioni i lojtarëve në mbrojtje, tranzicioni nga sulmi i pasuksesshëm në mbrojtje, pick’n’roll me lojtarë siç është Larkini dhe kërcimet defansive treguan disa dobësi që kundërshtarëve mund ta japin atë që e mori Turqia. Lëndimet janë domethënëse për serbët. Bogdanovići është jashtë turneut, mbrëmë nuk luajti Vukčevici (që në rregull, nuk ka minutazh shumë) në pjesën më të madhe të ndeshjes nuk luajti Avramovići (që ndërkohë po rikthehet për të shtunën). Marrë parasysh që Micići po rikthehet nga lëndimi, organizimi duket problematik.

Por, nga ana tjetër, dinamizmi dhe eksploziviteti i Larkinit, preciziteti i jashtëzakonshëm kolektiv për treshe (Turqia shënoi 18 nga 31 tentime), mbizotërimi i kërcimeve në sulm në çerekun e fundit, treshet jetike të episodistëve si Korkmaz e Hazer, Turqisë i dhanë një “flash” që thua “këta nuk do të dorëzohen kurrë”. Hendikepi është se në shumicën e kohës në parket ishte pesëshja e parë Larkin-Osman-Sipahi-Osmani-Şengün, prandaj rotacioni i kufizuar do të jetë penalizues. Nëse ky ekip mbërrin në finale, brenda 8 ditësh duhet t’i luajë 4 ndeshje. Po qe se të gjitha do të jenë kaq fizike si ajo me Serbinë, turqit mund të pësojnë.

Fillimi
Rezultatet
Tabela
Live