
Ferizaji bindës me “shuplakë” Prishtinës në ndjekje të kreut
E dyta me radhë për Ferizajin e Nevil Dedes që ka kapur formën së fundi, ndërsa e treta në pesë ndeshjet e fundit – ka bërë që bardhekaltërit të arrijnë kuotën e 29 pikëve dhe të jenë edhe më afër zonës së shpëtimit të plotë të stinorit.

Sa i përket duelit, Prishitna nuk ka treguar thuajse asgjë, derisa dominimi i plotë i vendasve u kurorëzua shpejt që në pjesë të parë të ndeshjes. E njëjta vazhdoi edhe në të dytën, derisa festa nisi në stadium pas fitores së tetë të tyre.
Ade Oguns shënoi i pari, pastaj në pjesë të dytë vazhdoi Ruben Silva-Richards, për të mbyllur gjithçka Jakup Berisha, për Ferizaji – Prishtina 3-0 [Ade Oguns 32′, Ruben Silva-Richards 55′, Jakup Berisha 90’+4].

E Prishtina e Afrim Tovërlanit, tani duhet të mendojë thellë e thellë si t’ia bëjë. Rekord-kampionët tani janë 4 pikë larg kryesuesve Ballkani e Drita, që kanë nga një ndeshje më pak të luajtur se Prishtina.
Prishtina është në seri prej 5 ndeshjeve pa fitore në Superligë.
