Fitore jetike e Rahovecit 029 ndaj Vëllaznimit

Derbi i pjesës së poshtme të tabelës, ku po zhvillohet luftë e ashpër për t’i ikur fundit të tabelës, ndërsa Rahoveci 029 ka mposhtur Vëllaznimin për të barazuar tani bilancin, pas XIX xhirosh në 6-13!

Kjo ka qenë fitorja e parë e trajnerit të ri të ekipit, Goran Samardziev, i cili nisi detyrën prej xhiros së XVI me vreshtarët. Kështu, pas 3 humbjeve ai arriti fitoren e parë dhe këtë në moment vendimtar, pasi që fitorja e gjakovarëve në këtë ndeshje, do të thoshte ikje nga Rahoveci 029 për dy fitore!

Përndryshe, Vëllaznimi nisi më mirë ndeshjen. Ekipi i Gyltekin Selimit pjesën e parë e përfundoi me 12 pikë dallim, 36-48! Por në pjesë të dytë, veçanërisht në çerek të fundit Rahoveci 029 përmbysi gjithçka, kur 1.22 minuta para fundit të ndeshjes J’Von McCormick barazoi rezultatin me treshe, ndërsa 36 sekonda para fundit të duelit, gjuajtjet e lira të më të dalluarit të ndeshjes Kentrell Pullian i sollën fitoren vreshtarëve, 86-84.

Epërsia më e madhe e Vëllaznimit në ndeshje ka qenë 18 pikë! Por, dëshira e madhe dhe kokëfortësia për të arritur atë që kërkonin në këtë ndeshje shumë të rëndësishme – solli fitoren çliruese për vreshtarët.

Kliko te: TABELA AKTUALE E SUPERLIGES

Vëllaznimi nuk shënoi asnjë pikë në 90 sekondat e fundit të ndeshjes, edhe pse kishte tre tentime përmes Jericole Hellemsit, ndërsa mbrojtja e rahovecianëve tregoi kompaktësi maestrale në fund për mos t’i lënë gjakovarët që të barazojnë ose fitojnë.

Në këtë fitore të madhe të Rahovecit 029 më efikasi ka qenë Kentrell Pullian, që tregoi performancën më të mirë të stinorit me 32 pikë, 8 asistime e 9 kërcime, bashkë me dy topa të vjedhura.

Njëzetë pikë i dha J’Von McCormick, që bëri edhe 4 asistime e 5 kërcime, kurse 13 të tjera i shënoi Bardh Rexha, që bëri edhe 7 kërcime në fitore.

Te Vëllaznimi, i zakonshmi Jericole Hellems ishte koshashënuesi më i dalluar me 21 pikë, 4 asistime e 6 kërcime. Shutoi 4/9 për tre pikë, por atë të fundit, që do t’ia sillte fitoren gjakovarëve, nuk arriti ta fuste në kosh!

Derrick Wilson gjithashtu pati paraqitje të mirë te gjakovarët. Playmakeri i ardhur në janar dha 15 pikë, 5 asistime e 4 kërcime, ndërkaq edhe Ziggy Reid tregoi performancë të mirë me 15 pikë e 5 kërcime.

Tani, kur kanë kaluar XIX xhiro në Superligë, Vëllaznimi është i parafundit në renditje (i shtati) me bilanc 6-13, njëjtë sikurse edhe Rahoveci 029 i fundit (i teti).

Fillimi
Rezultatet
Tabela
Live