
Godet Bora, zyrtarizon lojtarin e dalluar të Superligës
Njëri ndër lojtarët më të dalluar të Superligës së Kosovës në dy vitet e fundit, amerikani Jericole Hellems – është zyrtarizuar si lojtar i ri i Borës sot.
Hellems, që në dy stinorët e fundit të Superligës veshi fanellën e Vëllaznimit të Gjakovës, ndërsa këta ranë nga elita e basketbollit këtë stinor, shihet si një përforcim shumë i qëlluar i Borës, që është ekip në rritje dhe ka vazhduar me trajnerin e saj të stinorit të kaluar, Zoran Kascelan.

Në stinorin e kaluar në 22 ndeshje, Hellems ka pasur 32.7 minuta për lojë te kuqezinjtë, ndërsa ka shënuar 20.8 pikë për ndeshje mesatarisht bashkë me 3.2 asistime e 6 kërcime për lojë.
Para Hellemsit, Bora për stinorin 2026/27 ka zytarizuar edhe vendorin Jon Ismajli. Përndryshe, Bora stinorin 2025/26 e kaloi me rekorde për klubin, duke arritur për herë të parë playoffin, duke përfunduar më së larti Superligën në histori të klubit në stinor të rregullt (3), si dhe duke arritur gjysmëfinalen e playoffit.
