
Graham Potter zyrtarizohet te Suedia, me marrëveshje automatike Botërori!
Trajneri anglez, Graham Potter, që ka punuar së fundi te West Ham United, ndërsa ka bërë karrierë edhe te Chelsea e Brighton është emëruar selektor i ri i Suedisë, ka bërë të ditur sot në mëngjes Federata e futbollit të këtij vendi.
Potter do të zëvendësojë Jon Dahl Tomassonin, që u shkarkua nga Suedia pas humbjes së dytë të pësuar nga Kosova brenda dy muajve në kuadër të kualifikimeve për Botërorin 2026.
Përzgjedhësi 50 vjeçar ka bërë marrëveshje specifike me Suedinë, bëri të ditur drejtori i kombëtares Kim Kallstrom. Ai do të përkujdeset për rezultate sa më të mira në ndeshjet e mbetura kualifikuese ndaj Zvicrës dhe Sllovenisë dhe nëse nuk arrin playoffin nga faza grupore, atëherë do të tentojë edhe ndeshjet e playoffit nga Liga e Kombeve.
E përfundimisht, nëse Potter siguron Botërorin “USCAME 2026” me Suedinë, ai do të ketë rrogë më të mirë dhe marrëveshje automatikisht të zgjeruar edhe minimalisht për dy vite tjera me vikingët.
Kujtojmë, Suedia është e fundit në Grupin B kualifikues për Botëror. Gjasa minimale teorike ka për të kapur vendin e dytë. Por, edhe nëse nuk e arrin playoffin nga faza grupore, ata kanë “jokerin” e Ligës së Kombeve, prej ku kanë të sigurt playoffin për Botëror.
TABELA E GRUPIT B:
1. Zvicra, 10 pikë
2. Kosova, 7 pikë
3. Sllovenia, 3 pikë
4. Suedia, 1 pikë.
Ndeshjet e mbetura:
15 nëntor,
Sllovenia-Kosova
Zvicra-Suedia
18 nëntor,
Kosova-Zvicra
Suedia-Sllovenia.