Hellems në sekondën e fundit, Vëllaznimi pas nënkampionit mposht kampionen aktuale!

Ardhja e Jericole Hellems te Vëllaznimi është treguar me shumë rëndësi. Ekipi gjakovar pasi që në xhiron e kaluar mposhti nënkampionin aktual të Kosovës, Bashkimin, sonte ka mposhtur edhe kampionen aktuale, Trepça!

Dhe atë, falë shutit në sekondë të fundit të ardhjes së re në ekip, rikthimit të Hellemsit, që lëshoi topin nga dora gjatë depërtimit në të qindtat e sekondës, për fitore, 83-85.

Ndeshja ka qenë në përgjithësi me dy fytyra, të ndara në çerekë! Vëllaznimi avancoi 19-31, Trepça shkoi në pushim me epërsi, pasi mori çerekun e dytë me 33-15!

I treti çerek shkoi në të mirë të mitrovicasve, 19-13, kurse në të fundit Vëllaznimi riktheu gjithçka për të hyrë në sulmin e fundit për fitore, 12-26, që edhe u arrit në sekondën e fundit, për të ngritur palestrën në këmbë! Ndeshja u zhvillua në “Shani Nushi” por aty vendase ishte Trepça.

TABELA AKTUALE E SUPERLIGES

Hellemsi vendimtar luajti me 24 pikë, 2 asistime dhe 8 kërcime. Marques Warrick shënoi më së shumti pikë për Vëllaznimin. Ai dha 27 pikë, 2 asistime dhe 2 kërcime, derisa Ziggy Reid kreu lojën me 15 pikë e 8 kërcime.

Trepçës nuk i mjaftuan 24 pikët e Drilon Hajrizit e as 15 të tjera të dhëna nga Ja’cori Payne. Ky i fundit bëri edhe 7 asistime e 5 kërcime. Të tjerët nuk arritën të shënojnë pikë dyshifrore sonte!

Kjo ka qenë vetëm fitorja e tretë sezonale e Vëllaznimit, të cilët ciklin e parë të ndeshjeve e kaluan me vetëm një fitore! Por, ciklin e dytë ia nisën me dy fitore në dy ndeshje për të bërë tani bilancin e përgjithshëm 3-6! Trepça është në 5-3, me një ndeshje më pak të luajtur.

Fillimi
Rezultatet
Tabela
Live