
Ish trajneri i Hajdukut zyrtarizohet te Ballkani!
Ballkani ka bërë lëvizjen. Ekipi suharekas që ndau rrugët me Orges Shehin dhe gjindet në pozitë të dytë të renditjes tabelare të Superligës, ka bërë të ditur se ka angazhuar trajnerin kroat Mislav Karoglan.
Karoglan (43) ka licensën PRO të trajnerit nga UEFA, ndërsa në karrierën e tij si trajner ka punuar te Hajduku, Istra dhe Sheriffi. Loja e preferuar e tij bazohet në formacionin 4-2-3-1.

“FC Ballkani zyrtarisht ka emëruar kroatin Mislav Karoglan si trajnerin e ri të skuadrës, duke shënuar kështu një moment historik për klubin tonë, me kroatin që është trajneri parë i huaj që drejton FC Ballkanin. Kontrata e tij me klubin është nënshkruar për dy vjet e gjysmë.
Karoglan, 43 vjeç, vjen në Suharekë me një eksperiencë të pasur në futbollin evropian. Ai ishte kryetrajner i klubit të njohur kroat 𝐇𝐚𝐣𝐝𝐮𝐤 𝐒𝐩𝐥𝐢𝐭 në dy raste, së fundmi sezonin 2023–24, ndërsa edicionin e kaluar 2024–25 ka drejtuar kampionin e shumëfishtë moldav 𝐒𝐡𝐞𝐫𝐢𝐟𝐟 𝐓𝐢𝐫𝐚𝐬𝐩𝐨𝐥, me të cilin ka garuar edhe në arenën ndërkombëtare. Përpara këtyre angazhimeve, ai ka udhëhequr edhe skuadra të tjera nga elita e futbollit kroat, si Zadar dhe Istra 1961, duke ndërtuar një profil të fortë si trajner modern.
Trajnerit Karoglan i urojmë mirëseardhje dhe shumë fat e suksese në krye të ekipit tonë, duke besuar se puna e tij do të sjellë energji të re dhe rezultate pozitive për FC Ballkanin.” — shkroi Ballkani në njofim.
Ballkani me 14 ndeshje të zhvilluara në Superligë ka 23 pikë, 3 më pak se Prishtina lidere. Në pikë të njëjta janë edhe dy skuadra pas Ballkanit, Dukagjini në pozitë të tretë dhe Drita në pozitë të katërt.
Në xhiron e radhës, Ballkani do të luajë derbin ndaj kampionit aktual, Dritës dhe atë si mysafir. Kështu, Karoglan do të debutojë në një përballje tepër të vështirë për ekipin portokallezi.
