
Istogu në pranverë me trajner të ri
Skuadra e Istogut ka ndarë rrugët me trajnerin që përfundoi pjesën vjeshtore të stinorit në Ligë të Parë dhe ka emëruar që tani trajnerin që do të merr timonin e klubit për përgatitjen e skuadrës për fazën pranverore të Ligës së Parë.
Ditë më parë, “troftat” kanë bërë të ditur se kanë ndarë rrugët me trajnerin e deritashëm të ekipit Fisnik Gashi dhe në vend të tijin kanë zyrtaruar trajnerin e njohur nga Rahoveci, Senad Alirifa. Ky i fundit ka përvojë në Ligë të Parë dhe pritet që të ngris skuadrën gjatë pjesës pranverore të stinorit.

“Football Club Istogu ka kënaqësinë të ju njoftojë se sot ka nënshkruar kontratë bashkëpunimi me trajnerin e mirënjohur kosovar, Senad Alirifa.
Senadi është emër i njohur në futbollin kosovar, pasi që në të kaluarën ka udhëhequr shumë skuadra kosovare si: FC Malisheva, KF Rahoveci, KF Rilindja 1974 etj.
I dëshirojmë mirëseardhje trajnerit z.Senad Alirifa në klubin tonë!” — shkroi FC Istogu në njoftimin e lëshuar.
Pjesën vjeshtore të stinorit Istogu e kreu në pozitë të 12-të të Ligës së Parë me 18 pikë, duke regjistruar 4 fitore, 6 barazime dhe 8 disfata. “Troftat” ende nuk kanë të sigurt mbijetesën në Ligë të Parë, pasi që skuadrat poshtë tyre kanë deri në 6 pikë më pak. Gjë, që kërkon punë e përkushtim për të luftuar për mbijetesë aty.
E e gjitha kjo, mbetet të shihet në pjesën pranverore të stinorit kur Istogu me trajnerin Alirifa do të shfaqen në fushë të lojës për të kërkuar rezultatet për ngritje në renditje në klasifikim.
