
Jatta vendos, Vushtrria zgjeron avantazhin në krye
Sulmuesi gambian i Vushtrrisë, Ebrima Jatta, ka shënuar gol të vlefshëm për tre pikë për ekipin e tij sot. Goli i tij, jo veç që ka dalë të jetë i fitores, por edhe ka bërë që ekipi i Armend Dallkut të zgjerojë avantazhin në krye të tabelës ndaj kundërshtarëve pas rezultateve të sotme në duelet e Ligës së Parë.
Kështu, Vushtrria në një ndeshje të vështirë ndaj Istogut, ku në pjesën e parë nuk pati goli, gjeti fitoren në fillim të pjesës së dytë, për t’i marrë tre pikët, Vushtrria – Istogu 1-0 [Ebrima Jatta 52′]. E kjo fitore, e teta kampionale, bën që Vushtrria tash të ketë 3 pikë më shumë sesa përcjellësi i parë i saj në tabelë.
Liderja pas 13 ndeshjesh ka 28 pikë, derisa në anën tjetër Istogu që u përpoq mjaft dhe pësoi në fund, është i 11-ti në renditje me 15 pikë. Në javën e ardhshme, Vushtrria udhëton te Prizreni, ndërsa Istogu pret Feronikelin’74.