
KEK-u hyn në dimër pa trajner!
Ekipi i KEK-ut, ditë më parë bëri të ditur se ka ndarë rrugët me trajnerin e deritashëm të ekipit, Enis Nasufi. Nasufi erdhi te KEK-u për të zëvendësuar të larguarin Afrim Visoka, pas 7 xhirove të para të stinorit në Ligë të Parë.
Por, as Nasufi nuk e çoi gjatë me “elektricistët”. Njoftimi i klubit bëri të ditur se u ndërpre bashkëpunimi me trajnerin aktual 45 vjeçar, ndërkaq akoma nuk ka zyrtarizuar së paku në llogaritë e klubit online trajnerin e radhës të ekipit.
TABELA AKTUALE E LIGËS SË PARË
“FC KEKU njofton se ka ndërprerë bashkëpunimin me trajnerin Enis Nasufi.
Klubi e falënderon trajnerin Nasufi për punën, angazhimin dhe përkushtimin e treguar gjatë kohës sa ishte pjesë e FC KEK-u
I urojmë shumë suksese në vazhdim të karrierës së tij profesionale.” — kishte shkruar njoftimi i FC KEK-ut.
KEK-u përndryshe është në luftë për mbijetesë në Ligë të Parë aktualisht. Pas përfundimit të pjesës së parë të stinorit, ku u zhvilluan 18 xhiro në Ligë të Parë, obiliqasit përfunduan në pozitë të 14-të të renditjes tabelare aty duke arritur 4 fitore, 3 barazime dhe të tjerat humbje. Me 15 pikë aktuale, “elektricistët” nuk kanë asgjë të sigurt në pranverën që di të jetë shumë e “nxehtë” në Ligë të Parë dhe do të duhet të konsolidojnë radhët për të siguruar mbijetesën në kategorinë e dytë të futbollit kosovar.

