
Kosova U21 pëson nga Spanja U21
Kombëtarja U21 e Kosovës e ka regjistruar humbjen e parë në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2027.
Në ndeshjen e zhvilluar të martën mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri”, Kosova U21 përkundër lojës së mirë nuk arriti ta përballojë superfuqinë e futbollit evropian, Spanjën, duke pësuar humbje me shifrat 1:3.
Spanja kaloi në epërsi në minutën e 11-të përmes Joel Casals, por djemtë tanë reaguan shpejt dhe arritën të barazonin shifrat në minutën e 22-të me golin e bukur të Arianit Hasanit nga distanca. Me rezultatin 1:1 përfundoi pjesa e parë, ku Kosova tregoi lojë të barabartë dhe me disiplinë taktike ndaj kundërshtarit.
Në pjesën e dytë, spanjollët shfrytëzuan rastet e krijuara, derisa Dardanët e rinj patën disa mundësi, por nuk u treguan cinik para portës. Iker Bravo realizoi për 1:2 në minutën e 70-të, derisa në minutën e fundit të kohës shtesë (95’) Nino vulosi rezultatin përfundimtar 1:3.
Pavarësisht disfatës, paraqitja e Dardanëve të rinj ishte dinjitoze, duke treguar se kanë potencial për të rivalizuar edhe me kundërshtarët më të fortë të grupit.
Kjo ndeshje erdhi pas barazimit pa gola të Kosovës U21 në udhëtim ndaj Rumanisë, ndërsa Spanja paraprakisht kishte mposhtur Qipron me rezultat 3:0.
Ndeshjen e radhës, Kosova U21 do ta zhvillojë më 14 tetor në stadiumin “Fadil Vokrri” kundër San Marinos, ku synon fitoren e parë në këto kualifikime. Në të njëjtën ditë, Spanja pret Finlandën.