
Marques Warrick ndahet me Vëllaznimin
Njëri ndër lojtarët e huaj të Vëllaznimit, të dalluar, që erdhi këtë verë në ekip dhe luajti ndeshjet e ciklit të parë dhe fillimit të ciklit të dytë të Superligës, Marques Warrick, është larguar nga ekipi gjakovar.
Pas nëntë ndeshjeve në Superligë, ëarrick është përshëndetur me Vëllaznimin, pasi që ai do të kalojë në një ligë më të fortë, kurse kuqezinjtë kanë bërë të ditur se do të marrin dëmshpërblim për këtë transfer të tij.
“Për shkak të marrëveshjes së veçantë kontraktuale me lojtarin Marques Warrick, duhet të njoftojmë se rrugët tona ndahen këtu. Ai do të transferohet në një prej ligave të forta evropiane (me dëmshpërblim) dhe oferta për të ka qenë e parefuzueshme, andaj me marrëveshje të dyanshme kemi ndarë rrugët me lojtarin, të cilin e falenderojmë për kontributin e deritanishëm në ekip dhe i dëshirojmë suksese në vazhdim të karrierës.
Shumë shpejtë ju njoftojmë për zëvendësimin e denjë të tij!” — shkroi KB Vëllaznimi në njoftim.

Vëllaznimi stinorin nuk e nisi mirë aspak. Ekipi ciklin e parë të ndeshjeve të Superligës e përfundoi me vetëm një fitore! Por, me ardhjen e Jericole Hellemsit në ekip, pastaj ndërrimin e trajnerit, ekipi gjakovar u këndell dhe dy ndeshjet e para të ciklit të dytë të Superligës, ndaj kampionit dhe nënkampionit aktual – i fitoi.
Tani, Vëllaznimi që drejtohet nga malaziasi Rajko Krivokapic do të ketë punë ndaj Yllit në xhiron që vjen, ndërkaq skuadra që ka përmirësuar paksa bilancin me 3-6 aktualisht, dëshiron që të vazhdojë serinë e fitoreve në ndërkohë, derisa pret përforcimin e radhës, për ta zëvendësuar Warricku, që në Superligë të Kosovës luajti mesatarisht 35.4 minuta për ndeshje, duke shënuar 21.8 pikë, 3 asistime e 3.3 kërcime për ndeshje.
