
Mediat tiranase: Shehi largohet nga Ballkani?!
Trajneri i Ballkanit, Orges Shehi, i ka paraqitur dorëheqjen drejtuesve të klubit suharekas. Ky është lajmi që vjen nga mediat tiranase të afërta me trajnerin në fjalë, derisa bëhet e ditur se ky i fundit tashmë është i vendosur që të largohet nga Superliga e Kosovës!
Panorama Sport ka bërë të ditur se Shehi (48) vendimin e tij ia ka komunikuar edhe lojtarëve të klubit të Ballkanit. Po e njëjta bën të ditur se ai së fundi ka qenë në “Niko Dovana” për ndeshjen Teuta – Partizani dhe nuk përjashtohet mundësia e tij për rikthim në Kategorinë Superiore.

Të njëjtën informatë e ka dhënë edhe TopChannel, duke shtuar se burimet e saja kanë konfirmuar që ka edhe vonesa në paga të lojtarëve!
Përndryshe, Ballkani vazhdon të jetë forcë në futbollin kosovar dhe ekipi suharekas është vetëm tre pikë larg kreut të tabelës, pozitë kjo që është aktualisht në dorë të Prishtinës lidere. Suharekasit këtë stinor në Superligë kanë arritur 6 fitore, 5 barazime dhe vetëm 2 humbje – kjo e fundit, në xhiron e fundit nga Drenica.

Për Shehin, mediat në fjalë kanë shkruar se nuk është çudi nëse përfundon shpejt te Partizani, Tirana, por aspak befasuese edhe te ekipi i qytetit të tij, Teuta. Nëse shikohen këto lëvizje, te Ballkani lehtë mund të lakohet një rikthim i mundshëm i Ismet Munishit, që javë më parë dha dorëheqje nga Dukagjini dhe sot është trajner i lirë.
