
Muhamedali Janjeva rikthehet në Prizren!
Basketbollisti prishtinas, Muhamedali Janjeva, është zyrtarizuar te Bashkimi sonte. Lideri i Superligës ka rrëmbyer të pakënaqurin me bardhekaltërit për të shtuar në radhët e tij edhe një vendor të rëndësishëm në luftë për titull kampioni në Kosovë.
Kjo s’është hera e parë për Janjevën që do të vesh fanellën e një skuadre prizrenase, pasi që ai dy stinorë më parë kishte bërë një lëvizje të tillë në mes të stinorit, duke kaluar prej Prishtinës te atëherë ekipi i Superligës, Prizreni. Kësaj radhe, ai arrin te lideri i Superligës — Bashkimi!

Janjeva gjatë ditës kishte shkruar edhe status në llogaritë e tij të rrjeteve sociale duke bërë të ditur se i uron suksese Prishtinës dhe po largohet nga klubi “si rezultat i një procesi që nuk e ka dëshiruar”.
Mesatarja e tij këtë stinor në Superligë ka qenë 3 pikë për ndeshje, 1 asistime dhe 1.8 kërcime. Në ENBL ai ka pasur mesatare prej 5.5 pikësh dhe 4 kërcimesh për ndeshje.

