
Munishi në disiplinore për sjellje
Trajneri i Dukagjinit, Ismet Munishi, është futur në procedurë disiplinore nga Komisioni i Garave të FFK-së. Kjo, për shkak të reagimit të tij të pahijshëm ndaj vendimeve të gjyqtarit në ndeshjen Malisheva-Dukagjini.
FFK ka publikuar dje inicimet disiplinore për xhiron e tretë të Superligës, ndërsa Munishi figuron aty me këtë shpjegim.
“Ndaj: Kryetrajnerit të KF “Dukagjini”, Ismet Munishi (ID: 365) Motivi: Gjatë ndeshjes ka reaguar në mënyrë të pahijshme ndaj vendimeve të gjyqtarit, duke e fyer dhe ofenduar si dhe ofendon lojtarin kundërshtar. Kjo sjellje bie ndesh me etikën sportive dhe rolin edukativ të trajnerit (pedagogut, edukatorit).(RECIDIVIST) Sipas xhirimit televizive te ndeshjes Malisheva-Dukagjini.” — shkruan në njoftimin e botuar në faqen zyrtare të FFK-së.
Përndryshe, Dukagjini e fitoi këtë ndeshje me rezultat 0-1 dhe nga tre xhirot e para ka dy fitore e një humbje, duke qëndruar për momentin në pozitë të dytë të tabelës së klasifikimit të Superligës.