Nga lavdia ndaj kampionëve, tek apatia ndaj Gjibraltarit

Shkruan: Petrit Osmani

Ka ndeshje që nuk maten vetëm me rezultat. Ka ditë që nuk peshohen me minuta loje, por me emocionin që ngjallin te njerëzit. Dhe 21 vite më parë, Shqipëria na dha një ditë të tillë. Ishte koha kur një komb i vogël, i varfër dhe i lënë shpesh mënjanë, u ngrit përballë kampionëve të Europës dhe i mposhti. Atëherë kuqezinjtë nuk kishin yje të mëdhenj, nuk kishin fusha perfekte, nuk kishin as luksin që shohim sot. Por kishin diçka shumë më të madhe: zemrën.

Sot, në një ditë që duhej të na kujtonte krenarinë e asaj fitoreje, përballja me Gjibraltarin na dhuroi vetëm boshllëk. Nuk kishte grintë, nuk kishte përkushtim, nuk kishte atë ndjenjën e “luftës për flamurin”. Ishte një ndeshje e ftohtë, me lojtarë që duken sikur secili kërkon një top për vete. Një kombëtare pa moral, pa preokupim, që harron se çfarë fanellë vesh.

Më e dhimbshmja është se kjo skuadër sot po luan larg njerëzve të vet. Tifozat Kuq e Zi, zëri dhe zemra e tribunave, janë përjashtuar. Dhe gjatë gjithë kësaj kohe asnjë lojtar nuk tha një fjalë, nuk bëri një gjest solidariteti. Si mund të ndihesh pjesë e një kombëtareje, kur ata që e kanë mbajtur gjallë atmosferën në çdo cep të Europës, ata që ju kanë duartrokitur përjashtohen dhe ti hesht?

Kombëtarja duhet nderuar gjithmonë, pavarësisht kundërshtarit. Sepse nuk ka ndeshje të vogla kur vesh fanellën kuqezi. Çdo dalje në fushë është një betim për flamurin, për njerëzit që të ndjekin me zemër, për fëmijët që ëndërrojnë ta shohin Shqipërinë lart. Dhe ky betim nuk mbahet me apati.

Ne nuk kërkojmë gjithmonë fitore. Ne kërkojmë moral, sakrificë dhe krenari. Kërkojmë që lojtarët ta ndiejnë po aq sa ne kur këndojmë himnin. Kërkojmë që Shqipëria të mbetet ajo e 21 viteve më parë – një komb i vogël që guxon të ëndërrojë dhe të luftojë, jo një skuadër e ftohtë që harron rrënjët e veta.

Sepse futbolli nuk është vetëm lojë. Është histori, kujtime, sakrificë dhe mbi të gjitha dashuri. Dhe sot, dashuria mungoi.

*Opinionet, nuk paraqesin qëndrimet e redaksisë.

Fillimi
Rezultatet
Tabela
Live