Oscar Piastri fiton në Holandë, hap i madh drejt titullit

Fitore e Oscar Piastrit në garën e sotme të Holandës, për të cilin kjo ishte fitorja e nëntë në karrierën e tij si pjesë e Formula 1.

Pas pushimit disa javor, sot në garën e Holandës australiani mori vendin e parë, ndërkohë në vendin e dytë përfundoi Max Verstappen. Ky i fundit vazhdon të mbiperformojë me një makinë shumë të dobët këtë sezon.

Këtë vend Max Verstappen e mori papritur, me Lando Norrisin që u detyrua ta lëshojë garën për probleme teknike rreth gjashtë xhiro para fundit.

Sot ishte hera e parë këtë sezon që një makinë e McLarenit e lëshon garën për shkak të problemeve teknike.

Në vendin e tretë përfundoi piloti Isack Hadjar i Racing Bulls, podiumi i parë në karrierë, që është një arritje fantastike për të.

Jashtë garës shumë herët doli Lewis Hamilton, sezoni i të cilit me Ferrarin vazhdon të jetë tejet i dobët. Më vonë, prej garës doli edhe Charles Leclerc, shoferi tjetër i Ferrarit, për ta kompletuar kështu edhe një ditë tjetër të tmerrshme për Ferarrin.

Titulli i këtij sezoni sipas të gjitha gjasave do të diskutohet mes dy shokëve të skuadrës, Piastrit e Norrisit, por rezultati i sotëm bën që Piastri ta bëjë një hap tejet të madh drejt titullit kampion. Pasi fitores së sotme renditjes i prin australiani Piastri (309 pikë) me plot 34 pikë më shumë se anglezi Norris (275 pikë). Ndërkohë, titulli i skuadrave do të shkojë te McLareni pa as më të voglin dyshim.

Gara e ardhshme e Formula 1 zhvillohet fundjavën e ardhshme në Monza të Italisë, për të vazhduar më pas cikli jashtë Evropës me garat e Azerbajxhanit, Singapurit, SHBA-ve e kështu me radhë.

Fillimi
Rezultatet
Tabela
Live