
Peja provoi, por Bashkimi fitoi përsëri dhe shkoi në gjysmëfinale!
Edhe ndeshjen e dytë çerekfinale e fitoi Bashkimi dhe kështu prizrenasit kaluan në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës. Pas fitores së shënuar në Prizren me 6 pikë dallim, sonte portokallezinjtë fituan me 3 pikë dallim, 70-73, për të marrë përfundimisht biletën për katërshen më të mirë të këtij stinori të Kupës.
Ndeshja ka qenë thuajse e barabartë, me Pejën që i ndezi motorat vonë, derisa Bashkimi menaxhoi mirë minutat e fundit për të mos lënë vendasit të kalojnë në avantazh dhe kështu fituan ndeshjen.
Te Bashkimi, Daquan Lake dominoi nën kosh me 17 pikë e 8 kërcime, ndërsa 13 i dha ish lojtari i Pejës, Malcolm Armstead. Ky i fundit bëri edhe 5 asistime e 6 kërcime në këtë fitore, ndërkaq 12 pikë i shtoi Shannon Shorter.
Damir Milacic, trajneri i ri i Pejës, pas disfatës në ENBL pësoi edhe në Kupë të Kosovës. Skyler Flatten dha 17 pikë, Cesare Edwards double double me 14 pikë e 13 kërcime, ndërkaq 13 të tjera i shtoi Musab Mala, por që në fund dolën të pamjaftueshëm për të bërë më shumë.
Derisa për Pejën udhëtimi në Kupë përfundon këtu, Bashkimi shkon tutje dhe tashmë pret kundërshtarin e gjysmëfinales.
