
Për shkak të tifozëve, Llapi në disiplinore
Në përballjen e fundit si vendas, Llapi barazoi ndaj Dritës kampione 1-1. Ndërkaq kjo ndeshje u ndërpre për disa çaste për shkak të tymit të krijuar nga tifozët vendas.
E kjo nuk ka kaluar pa ndëshkim prej KG-së së FFK-së, që ka inicuar procedurë disiplinore për KF Llapin për shkak të tifozëve të tij.
“Ndaj: FC “Llapi”: Motivi; Lëshime në organizimin e ndeshjes,në minutën e 53-të të ndeshjes Llapi –Drita, tifozët e skuadrës vendase kanë ndezur mjete piroteknike (tymues), të cilat kanë penguar vazhdimin normal të lojës. Si pasojë, gjyqtari është detyruar ta ndërpresë përkohësisht ndeshjen për 2 minuta, deri në shpërndarjen e tymit të zi nga hapësirat e stadiumit. Sipas raportin e delegatit të ndeshjes dhe xhirimeve televizive në ndeshjen Llapi-Drita.” — shkroi njoftimi i FFK-së sot.
Përndryshe, Llapi i drejtuar nga Tahir Batatina nuk ka shënuar ende fitore këtë stinor në Superligë, pasi që pas tre xhirove kanë vetëm dy pikë me dy barazime e një humbje.