
Për të pestin vit me radhë, Trepça fiton Kupën e Kosovës!
Për të pestin vit me radhë, KB Trepça është fituese e Kupës së Kosovës në basketboll. Njëkohësisht, ky është titulli numër 20 në histori të klubit mitrovicas.
Nën drejtimin e Adis Beciragicit, Trepça në një atmosferë fenomenale sportive në “Mizahir Isma” të Rahovecit, e mpooshti Bashkimin me rezultat 91-72.
Çereku i parë u mbyll 16-19 për prizrenasit. Më pas, Trepça ishte më e mirë në çerekun e dytë, të cilin e fitoi 27-22 dhe kështu skuadrat në pushim shkuan pranë rezultatit 43-41 në të mirë të mitrovicasve.
Drilon Hajrizi e mbylli pjesën e parë me tri gabime personale të shkaktuara, gjë që ndikoi në minutazhën e tij në vazhdim të ndeshjes, por kjo nuk i pengoi Trepçës që ta fitonte finalen.

Kampionja në fuqi e Kosovës prej çerekut të tretë e tutje ishte dukshëm më e mirë dhe me meritë e fitoi finalen. Me mbrojtje fantastike dhe me dyshen Amzil & Vining në super-formë, Trepça dominoi pjesën e dytë dhe e arriti fitoren. Në fund rezultati përfundimtar i ndeshjes ishte 91-72.
Më të dalluarit te skuadra fituese sonte ishin Mustapha Amzil (22 pikë. 12 kërcime) dhe Akili Vining (20 pikë, 6 asistime, 3 kërcime). Te Bashkimi sonte u veçuan Lejson Zeqiri (19 pikë, 2 asistime, 1 kërcim) dhe Ike Nwamu (16 pikë. 7 kërcime).
Kështu, Bashkimi mbetet pa Kupë të Kosovës për më shumë se 25 vite. Për herë të fundit këtë trofe prizrenasit e fituan në vitin e largët 2001.
Vlen të përmendet që sonte nga lëndimi për Bashkimin u rikthye Kyan Anderson, një basketbollist tejet cilësor që i ka munguar Bashkimit shumë xhirove të fundit.
Me çka kemi parë deri tash këtë sezon, dy skuadrat e finales së sontme janë skuadrat favorite për të luftuar për titullin kampion edhe në ligë.
