
Prishina ankohet për dënimin e dhënë nga KDE i FFK-së
Klubi i Prishtinës ka bërë të ditur se do të ankohet në organe përkatëse të FFK-së për dënimin e dhënë së fundi për ekipin. Kjo, pasi që KDE i FFK-së ka dënuar Prishtinën me dy ndeshje loje pa praninë e tifozëve të saj.
“Në bazë të vendimit të Komisionit Disiplinor dhe të Etikës pranë Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), klubi ynë është dënuar me dy ndeshje pa praninë e tifozëve.
Ky vendim vjen pas ndeshjes së javës së 22-të të AlbiMall Superligës së Kosovës ndërmjet Prishtinës dhe Dritës.” — shkroi FC Prishtina në njoftim, duke shtuar, “Klubi ynë ka deponuar ankesën/kërkesën për zbutjen e këtij dënimi dhe shpreson në një përgjigje pozitive nga organet kompetente pranë FFK-së.”
Prishtina është e treta në renditje me 37 pikë. Lider i Superligës është Ballkani me 42 pikë. Bardhekaltërit janë eliminuar nga Kupa e Kosovës dhe tani skuadrës së drejtuar nga Afrim Tovërlani i ka mbetur vetëm një opcion për të dalë në gara evropiane në stinorin tjetër – nga Superliga!
Pos suspendimit, Prishtina është gjobitur edhe me shumën prej 2 mijë eurove, të cilat duhet t’i paguajë brenda 15 ditëve në llogari të FFK-së.
