
Rahoveci 029 largon një të huaj, ndërsa trajneri flet për përforcimet!
Rreth 15 minutat e mbrëmshme në përballje ndaj Pejës, kanë qenë të fundit për basketbollistin e deridjeshëm të Rahovecit 029 Jalen Johnson. I dha 9 pikë dhe bëri 5 kërcime në humbjen e vreshtarëve, ndërsa sot me marrëveshje të dyanshme ndau rrugët me klubin.
Njoftimin e bëri të ditur Rahoveci 029 në mesditë sot, ndërsa falenderoi lojtarin për kontributin.
“Faleminderit Jalen Johnson. Me marrëveshje të dyanshme, klubi dhe lojtari kanë ndërprerë bashkëpunimin.
I urojmë shumë suksese në vazhdim të karrierës së tij.” — shkroi KB Rahoveci 029 në njoftim.
Ekipi debutues në Superligë, përkundër se ia nisi mirë stinorit tashmë është në krizë të rezultateve, ndërsa nuk është rehatuar me përforcimet e fundit të ardhura nga jashtë. Përndryshe, Jalen Johnson te Rahoveci 029 luajti me 15.4 pikë për ndeshje mesatarisht në Superligë, duke bërë 1 asistim dhe 3.8 kërcime për ndeshje.

Trajneri i ri i ekipit Goran Samardziev, që zëvendësoi Bujar Locin, ka bërë të ditur mbrëmë pas disfatës së në bashkëpunim me menaxhmentin janë duke shikuar të përforcohen me një playmaker dhe një lojtar nën kosh në ditët në vijim.
Për momentin Rahoveci 029 është në bilanc 5-13 në Superligë, ndërsa aktualisht është në luftë direkte me Vëllaznimin, për t’i ikur pozitës së fundit në tabelë, pozitë kjo që rrëzon nga Superliga.
