
Sa u pagua gjyqtari kryesor i finales Spanja-Argjentina?
Gjyqtari slloven Slavko Vinčić që ndau drejtësinë në finalen e Kupës së Botës 2026 mes Argjentinës dhe Spanjës, arriti kulmin e karrierës së tij si arbitër. Përveç prestigjit që sjell drejtimi i ndeshjes më të madhe në futbollin botëror, Vinčić ka përfituar edhe një shpërblim financiar të konsiderueshëm.
Sipas mediave sllovene, që shkruan para finales, arbitri kryesor do të përfitojë rreth 60 mijë dollarë amerikanë vetëm për drejtimin e finales në stadiumin “MetLife”. Me honoraret e grumbulluara gjatë gjithë turneut, të ardhurat e tij pritet të arrijnë në afro “140 mijë dollarë”, megjithëse shuma përfundimtare varet nga bonuset dhe përllogaritjet e FIFA-s.
Sistemi i shpërblimit të FIFA-s parashikon një pagesë fikse prej rreth 70 mijë dollarësh për gjyqtarët kryesorë që marrin pjesë në Kampionatin Botëror, ndërsa për çdo ndeshje paguhen honorare shtesë. Në fazën e grupeve këto janë rreth 3 mijë dollarë për ndeshje, ndërsa në fazën eliminatore janë dukshëm më të larta. FIFA mbulon gjithashtu të gjitha shpenzimet e udhëtimit, akomodimit, ushqimit dhe dietave të gjyqtarëve gjatë turneut.
Për Vinčićin, megjithatë, vlera më e madhe mbetet besimi i dhënë nga FIFA për të drejtuar finalen e Botërorit, një nder që konsiderohet arritja më e lartë në karrierën e çdo arbitri ndërkombëtar.
