Shkarkuan Lecin! Cili trajner në radhë?

Nëntëmbëdhjetë xhiro të kaluara në Ligë të Parë, ndërsa Liria veçse është në kërkim të trajnerit të tretë që do të drejtojë ekipin këtë sitinor!

Prizrenasit kanë humbur thellë dje duelin direkt ndaj Trepçës’89 për të mbajtur hapin me ekipet “në valle” për Superligë, derisa mitrovicasit e drejtuar nga Gani Sejdiu i kujdesshëm kanë parakaluar në “Përparim Thaçi” duke i dhënë leksion bardhezinjëve vendas, 1-4!

Në pritje të trajnerit të tretë për stinorin 2025/26

E nisën stinorin me Klodian Duron, aventura e të cilit zgjati shtatë xhiro! E vazhduan me Liridon Lecin, që duroi deri në xhiron XIX! Tani, përfolet se prizrenasit janë në bisedime me Ismet Munishin që për momentin është trajner i lirë, pasi që u largua nga Dukagjini në Superligë në xhiron XII.

“Klubi i Futbollit FC Liria njofton se trajneri i ekipit të parë, Liridon Leci, është larguar nga drejtimi i skuadrës.
FC Liria shpreh mirënjohjen më të thellë për përkushtimin, punën e palodhur, kontributin dhe profesionalizmin që trajneri Leci ka treguar gjatë gjithë periudhës së tij në klub. I urojmë suksese të shumta në të ardhmen, si në aspektin personal, ashtu edhe në karrierën profesionale.
Në ditët në vijim, klubi do të njoftojë mbi hapat e mëtejshëm në drejtimin e skuadrës.” — shkroi FC Liria në njoftim mbrëmë vonë, duke bërë të ditur se ka ndarë rrugët me Lecin.

E ky i njëjti ishte në emision televiziv në atë kohë dhe deklaronte se nuk ka pasur indikacione për shkarkimin e tij dhe se nuk ka komunikuar me askënd pas humbjes së thellë! Pastaj FC Liria botoi njoftimin, që u prit me theks të mosprofesionalizimit për mënyrën e ndarjes me trajnerin!

Për Lirinë, trajneri i radhës, cilido qoftë ai do të jetë i treti këtë stinor. Pos Dinamos së Ferizajit që tashmë ka të tretin, Liria është ekipi i dytë në Ligë të Parë që ka arritur te trajneri i tretë ku shefat e shtabit mezi qëndrojnë dhjetë xhiro kampionale!

Shiko: TABELA AKTUALE E LIGES SE PARE

Starti i pranverës, që pritej me entuziazëm në publikun prizrenas, nisi aspak mirë për bardhezinjtë. Humbja e thellë nga rivali direkt për dy vendet e para, shkarkimi i trajnerit në mënyrën si ndodhi dhe ardhja e trajneri të ri — që do të duhet të punojë me brumin ekzistues të përzgjedhur nga ish-trajneri!

Gjasat dhe mundësitë

E gjashta në renditje, me 36 pikë pas 19 ndeshjesh. 5 pikë më pak sesa kryesuesja Vushtrria dhe me 5 ekipe mbi ta me të njëjtin synim — Superligën. Mbetet të shihet se si do të vazhdojë pjesa pranverore e stinorit për Lirinë, ku kanë mbetur edhe 15 xhiro deri në fund dhe 45 pikë janë në total në lojë për secilin ekip! A do të ketë këndellje dhe luftë drejt Superligës, apo rënie dhe dorëzim nga gara për elitën e futbollit kosovar këtë stinor, 2025/26?

Fillimi
Rezultatet
Tabela
Live