
Super forma vazhdon, Dinamo demolon Rilindjen 1974 dhe i “ngjitet” kreut
Nuk ka të ndalur Dinamoja nën drejtimin e Leotrim Krasniqit. Ekipi ferizajas ka shënuar edhe fitoren e gjashtë me radhë në Ligë të Parë sot, duke demoluar Rilindjen 1974 për të fituar ndeshjen me rezultat, Dinamo – Rilindja 1974 4-0 [Ardian Shaljani 3′, Daniel Tette 23′, Bleon Axhami 34′, Almedin Klinaku 64′].
Dinamoja ka kryer punë shpejt sot. Fillimi i rrufeshëm ka bërë që mysafirët të mos arrijnë të kërkojnë më shumë nga ndeshja. Shaljani fillimisht, pastaj Tette dhe Axhami kryen punë që në pjesë të parë të ndeshjes. Pjesa e dytë kaloi me një gol shtesë, nga Klinaku, që vetëm se vulosi dominimin e madh të vendasve karshi mysafirëve në krizë.
Me këtë fitore, Dinamoja kalon në pozitë të dytë dhe ka pikë të njëjta me lideren Vushtrrinë (34). Kuotën e njëjtë të pikëve e ka edhe Vëllaznimi në pozitë të tretë. Kjo ka qenë fitorja e dhjetë kampionale e ferizajasve që janë në super formë aktualisht.
Rilindja 1974 në anën tjetër ka pësuar humbjen e nëntë kampionale dhe ka mbyllur xhiron e XVI të Ligës së Parë në pozitë të 12-të, me 17 pikë.
