Tahir Lushtaku merr timonin e Trepçës!

Trajneri i njohur, Tahir Lushtaku, ka marrë drejtimin e Trepçës prej sot. Dy ditë pas ndarjes me trajnerin e deritashëm të ekipit, Emin Baliqi, ekipi mitrovicas ka bërë të ditur se ka angazhuar Lushtakun në kuadër të kërkimit të rezultateve më të mira me ekipin.

Humbja në derbi nga Vushtrria, ftoi për freski

“Klubi i futbollit Trepça ju njofton se nga sot, Tahir Lushtaku do të jetë në krye të skuadrës si trajner i ri.
Ky vendim vjen pas një periudhe ku klubi ka kërkuar ndryshim dhe freski dhe për të rikthyer stabilitetin brenda grupit.
Tahir Lushtaku pritet të sjellë përvojën në punën me lojtarët, duke u fokusuar në ndërtimin e një skuadre kompakte”, shkroi Trepça në njoftimin e dhënë.

Lushtaku, që ka punuar kryesisht te Drenica në periudha të ndryshme në deklaratën e tij si trajner i ri i mitrovicasve ka thënë se do të bëj maksimumin për të rikthyer energjinë, besimin dhe rezultatet pozitive te ekipi.

Punë e përkushtim, për rezultate

“Falënderoj klubin për besimin. Jam i vetëdijshëm për përgjegjësinë që mbart kjo fanellë faleminderoj presidentin e klubit z.Nexhmedin Haxhiu si dhe Ajet Shoshollin dhe Rafet Prekazin do të jap maksimumin për të rikthyer energjinë, besimin dhe rezultatet pozitive. Trepça është klub i madh dhe me histori ka potencial, me punë e përkushtim do të mundohemi ta tregojmë në fushë”, ka thënë ish-trajneri i Drenicës për llogarinë zyrtare të gjelbërezinjëve në rrjete sociale.

Trepça pësoi disfatë të thellë nga Vushtrria në xhiron e XV të Ligës së Parë. Kjo ishte humbja e katërt e ekipit dhe aktualisht janë në pozitë të nëntë të renditjes tabelare me 23 pikë nga 15 ndeshje. Në xhiron që vjen, Trepça do të luajë derbi ndaj Feronikelit’74, që gjithashtu një xhiro më parë ndërroi trajnerin duke angazhuar Granit Begollin si timonier, ndërkaq është në pozitë të dytë të renditjes tabelare.

Fillimi
Rezultatet
Tabela
Live