
Thomas Brdarić – trajner i ri i Drenicës!
Pas ndarjes me Bylbyl Sokolin, Drenica ka zyrtarizuar sot trajnerin e njohur gjerman, Thomas Brdarić! Së fundi, Thomas Brdarić drejtoi Vllazninë e Shkodrës, ndërsa gjermani me prejardhje kroate ka qenë një kohë golashënues i dalluar i Bayer Leverkusenit, ndërsa ka qenë edhe anëtar i përfaqësueses gjermane rreth viteve 2002-2005.
Brdarić 50 vjeçar ka ngritur mjaft Vllazninë e Shkodrës si ekip në dy periudhat sa qëndroi aty, ndërsa ka fituar një Kupë të Shqipërisë në stinorin 2020/21. Drenica trajnerin në fjalë e ka quajtur bashkim të shpirtit të Drenicës me profesionalizmin gjerman, pas ndërrimit të fundit të kryesisë që u bë para fillimit të këtij stinori.

“Sot, FC Drenica shkruan një faqe të re në historinë e futbollit tonë. Me krenari ju njoftojmë se kemi nënshkruar kontratë afatgjate me trajnerin ndërkombëtar Thomas Brdarić, një emër i madh i futbollit gjerman, ish-lojtar i Bundesligës dhe trajner i suksesshëm në disa vende, përfshirë edhe Shqipërinë, ku ai ka arritur rezultate të jashtëzakonshme.” — shkroi FC Drenica në njoftim, ndër të tjera.
Përndryshe, ajo që e pret Brdaricin në ulëse të Drenicës është luftë e madhe. Kuqezinjtë nga Skenderaj janë aktualisht të tetit në renditjen tabelare të Superligës. Skuadra pas 16 ndeshjesh ka 5 fitore, 2 barazime dhe 9 disfata, me 17 pikë të tubuara, 3 më pak se Llapi që është mbi ta në zonë të sigurt!
