Trepça mbetet pa fitore, mposhtet në Gjermani

Kampionja aktuale e Kosovës nuk ka arritur të shënojë fitore as në ndeshjen e pestë të fazës grupore të FIBA Europe Cup. Trepça është mposhtur në Gjermani sonte nga Braunschweig me 10 pikë dallim, 80-70.

Ekipi gjerman, që është edhe lider i Grupit F të FIBA Europe Cup është treguar tepër i fortë, ndërsa kur loja hynte në periudhën e fundit të saj, rezultati ishte 69-46. Çereku i fundit i takoi plotësisht Trepçës, 11-24, por pamjaftueshëm për të mbyllur epërsinë e madhe mbi 20 pikëshe në 10 minutat e fundit të lojës dhe kështu mitrovicasit kthehen me humbje!

Braunschweig koshashënues më të mirë të ndeshjes kishte Grant Sherfieldin, që dha 17 pikë, ndërsa 13 të tjera i shënoi David N’Guessan e 12 i dha Nikola Tomic, derisa trajneri Kostas Papazoglou i dha mundësi të gjithë lojtarëve në roster të marrin minuta në ndeshje.

Te Trepça, Adis Beciragic nuk gjeti ilaç për t’i bërë ballë gjermanëve të fortë. Edhe pse, edhe ai i dha në fund të gjithëve minuta, epërisa e madhe e vendasve ishte e pamundur të përmbysej. Mustapha Amzil me 18 pikë dhe Drilon Hajrizi me 15 pikë kanë qenë lojtarët më efikas të mitrovicasve sonte, derisa Mikaile Tmusic nuk ka luajtur në këtë ndeshje – që është treguar si mungesë e madhe për gjelbërezinjtë.

Trepça që prej xhiros së shkuar është eliminuar nga grupi dhe nuk ka gjasa teorike për të dalë tutje, ndërsa me humbjen e sontme bilancin e ka 0-5. Në xhiron e fundit udhëton te Anwili polak.

TABELA AKTUALE E GRUPIT F:

1. Braunschweig 4-1, +15
2. PAOK 4-1, +13
3. Anwil 2-3, +19
4. Trepça 0-5, -47.

Fillimi
Rezultatet
Tabela
Live