
Trepça’89 zyrtarizon krahun nigerian
Sulmuesi nigerian i krahut, Edeh Adanu është lojtar i ri i Trepçës’89 që drejtohet nga Gani Sejdiu. Ekipi mitrovicas ka bërë të ditur se ka arritur marrëveshje me lojtarin, që ka qenë i lirë, ndërsa së fundi ka luajtur në ekipin grek, Niki Volou. Para tij, Adanu ka qenë pjesë e ekipeve sllovake si Slavoj dhe Nitra.
“Klubi i Futbollit Trepça’89 ka kënaqësinë të prezantojë afrimin më të ri, Adanu Edeh, sulmues krahu nga Nigeria.
23-vjeçari vjen me përvojë të vlefshme nga futbolli sllovak, ku ka qenë pjesë e disa klubeve dhe ka ndërtuar profilin e tij si lojtar ofensiv me shpejtësi dhe intensitet në krahë.
Me energjinë dhe eksperiencën e tij, Adanu pritet të japë kontribut të rëndësishëm në repartin ofensiv të skuadrës sonë.” — shkroi KF Trepça’89 në njoftim.
Ish kampionja e Kosovës, Trepça’89 ka përfunduar pjesën vjeshtore në Ligë të Parë me 36 pikë në pozitë të katërt, ndërsa kanë 4 pikë më pak se liderja Vushtrria.
