
UEFA: “FC Drita: Kosovarët që po shkruajnë historinë”
Një artikull i UEFA-së që pasqyron suksesin historik të FC Dritës dhe futbollit kosovar, është botuar nga web-faqja e shtëpisë evropiane të futbollit. Kampionja aktuale e Kosovës, Drita, ka arritur sukses historik duke qenë ekipi i parë që ka kaluar vjeshtën dhe ka arritur në fazën pranverore të garave të UEFA-së.
Bardhekaltërit nga Gjilani kanë siguruar playoffin në Ligë të Konferencës dhe tani presin duelet e playoffit ndaj Celjes për të kërkuar edhe më shumë. E për këtë, UEFA-ja ka biseduar me trajnerin Zekirija Ramadani dhe lojtarët e ekipit.

“Kampionët e Kosovës po përgatiten për playoffin e Ligës së Konferencës për të vazhduar rrugëtimin historik, duke mbajtur shpresa jo vetëm për klubin por edhe për shtetin.
—Të jem plotësisht i sinqertë, asnjëherë nuk e kemi menduar se pas katër ndeshjeve të para do t’i arrinim tetë pikë, as unë e as lojtarët.
Duke qenë vetëm ekipi i dytë nga Kosova që ka arritur fazën grupore të një gare të UEFA-së, trajneri i Dritës Zekirija Ramadani e ka pasur të qartë sfidën që e pret.
Por, një ecje impresive në katër ndeshjet e para ua siguroi playoffin atyre si dhe një vend në regjistrin e rekordeve për të qenë të parët nga Kosova që kalojnë në fazën eliminatore të një gare të UEFA-së.
—Mund të flas edhe në emër të pronarëve, as ata nuk e kanë pritur këtë. Por, ne kemi punuar pandërprerë. Jam i bindur se suksesi nuk vjen vetvetiu, duhet të meritohet dhe mendoj se e kemi merituar këtë sukses, – ka thënë Ramadani.
Drita në playoff do të ndeshet me ekipin slloven, Celje.

Kapiteni Rron Broja beson në cilësinë e ekipit për të bërë edhe më shumë në ndeshjen që duelin e parë e ka me datën 19 shkurt.
—Kemi cilësi për të kaluar fazën e playoffit. Të jemi pjesë e Ligës së Konferencës do të thotë shumë për ne dhe tifozët tanë. Për një futbollist që është lindur dhe rritur në Kosovë ka qenë gjithmonë ëndërr të jetë pjesë e garave evropiane. Mendoj se kjo është ndër arritjet më të mëdha si lojtar, – tha Broja.
E nëse arrihet kualifikimi, do të jetë një histori tjetër jo vetëm për klubin por edhe për futbollin kosovar. Pa marrë parasysh rezultatin ndaj Celjes, ka arsye që tani për të festuar suksesin e Dritës.
—E kemi bërë krejt Kosovën krenare dhe është përgjegjësi e madhe ta veshësh këtë fanellë – pohoi kapiteni.
Me konstatimin e tij pajtohet edhe portieri i ekipit, Faton Maloku.
—Kualifikimi për gara evropiane është shumë, shumë me rëndësi për ne si shtet, jo vetëm si klub. Kemi histori të gjatë, që ka kaluar në kohëra shumë të vështira. E tëra kjo që po ndodh tani është si shpërblim për sakrificat që kanë kaluar njerëzit për të arritur në këto faza.”

Playoffi i Ligës së Konferencës nis këtë të enjte, ndërsa ndeshja e parë zhvillohet në Prishtinë ku Drita pret Celjen më 19 shkurt me fillim prej orës 21.00. Përballja e kthimit luhet në Slloveni më 26 shkurt me fillim prej orës 18.45.
