
Vjen gjenerata e re e video-analistëve
Federata Shqiptare e Futbollit organizoi me sukses kursin e 7-të për video-analistë, në përfundim të të cilit u diplomuan 24 pjesëmarrës të rinj, mes tyre edhe 3 vajza. Me këtë kurs, numri i video-analistëve të licencuar nga FSHF-ja ka kaluar tashmë shifrën 100, duke përfshirë profesionistë jo vetëm nga Shqipëria, por edhe shqiptarë nga Kosova, Italia, Zvicra dhe vende të tjera.
Kursi u zhvillua në një format intensiv, i ndarë në tre blloqe nga tre ditë secili, me rreth katër orë mësim çdo ditë. Gjatë programit, pjesëmarrësit përfituan njohuri të thelluara mbi bazat e analizës së lojës, aspektet taktike të futbollit modern, analizën individuale të lojtarëve, si dhe përdorimin e të dhënave dhe statistikave për të përmirësuar performancën e ekipeve.

Përveç pjesës teorike, kursantët punuan edhe në projekte praktike, duke analizuar një ekip të caktuar dhe duke aplikuar në praktikë konceptet dhe metodat e mësuara gjatë leksioneve.
Ceremonia e shpërndarjes së certifikatave u zhvillua në prani të përfaqësuesve të Federatës Shqiptare të Futbollit, ndërsa diplomat për pjesëmarrësit u dorëzuan nga trajneri i Kombëtares U-21 të Shqipërisë, Alban Bushi.
Ky kurs synon të rrisë më tej nivelin e profesionalizmit në fushën e analizës në futbollin shqiptar dhe të pajisë trajnerët, analistët dhe klubet me mjete moderne për të zhvilluar më tej performancën sportive. (txt: FSHF)
