
Vjosa largon Shalën, i hyn xhiros pa trajner të zyrtarizuar
Pas 13 xhirosh, Vjosa ka ndarë rrugët me trajnerin e tyre Burim Shala. Në njoftimin e lëshuar ditë më parë, ekipi nga Shtimja ka bërë të ditur se me marrëveshje të dyanshme ka ndërprerë bashkëpunimin me trajnerin në fjalë.
“Me marrëveshje të dyanshme, është ndërprerë bashkëpunimi ndërmjet KF Vjosa dhe kryetrajnerit Burim Shala.
Gjatë periudhës së tij në krye të skuadrës, trajneri Shala ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në forcimin e ekipit, duke treguar profesionalizëm, përkushtim dhe punë të palodhshme në çdo aspekt të zhvillimit sportiv.
KF Vjosa e falënderon z. Shala për kontributin e dhënë dhe i uron suksese të mëdha në vazhdimin e karrierës së tij profesionale.” — shkroi FC Vjosa në njoftim.
Vjosa i hyn xhiros së 14-të të Ligës së Parë nga pozita e 15-të, me vetëm 9 pikë të tubuara deri tani dhe në rrezik permament nga zona e rrezikshme. Shtimjanët nuk kanë zyrtarizuar ndonjë trajner të ri as sot, që do të thotë se ekipi do të vazhdojë me njërin nga ndihmës-trajnerët lokalë të ekipit.
